MINISTRAT E DIASPORËS DHE DIASPORA

Nga Sadri MEHAJ – New York

 

 

 -“Mirëse na erdhët ministra”!

 Ditëve të fundit, në komunitetin tonë shqiptar në Amerikë kanë ardhur për të na vizituar zyrtarët e dy shteteve tona, gjegjësisht, nga Tirana -ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko dhe nga Prishtina – ministri i Diasporës e Investimeve Strategjike, Dardan Gashi.

 Nga takimet e tyre në komunitet me shoqata e organizata dhe sheh patriote e patriot tanët duke “kontribuar” vetëm kur vijnë ministrat me dalë në foto me ta, sepse patriotët e mirëfilltë shumë pak i sheh duke u takuar ministra e zyrtarë të tjerë të lartë të ardhur nga Shqipëria e Kosova, sepse nuk iu lanë rradhë “patriotët me bateria” që vërsulen drejt fokuseve të kamerave…

Më datën 5 shkurt 2018, të hënën që shkoi,  isha i ftuar nga Shoqata e jonë e Batalionit  “Atlantiku”-  me veprimtari në SHBA, që të marr pjesë në një takim zyrtar, të organizuar me dy ministrat tanë të Diasporës.

Ky takim u mbajt në “Royal Regency Hotel”, Yonkers – NY. Pos ministrave e stafit të tyre ishte prezent dhe ambasadorja Teuta Sahatçia, Konsulle e Përgjithshme e Kosovës në New York.

Ndër tematikat e shumta, që u shtjelluan aty, unë si i’plavëgucias e pyeta ministrin e Diasporës së Kosovës, Gashin, se si është puna për Rrugën nacionale Deçan-Plavë, që do e lidhin Kosovën me krahinën e Plavë-Gucisë dhe me bashki e komuna të tjera në Shqipëri e në Malin e Zi.

Fjala ime ishte qartas: Çka ka bërë Shteti i Kosovës në këtë drejtim, sepse është prerë qe katër vite shiriti i Inaugurimit të fillimit të punimeve nga kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi e, në fakt, janë hapur vetëm 3 km rrugë.

 Si duket këtë pyetje timen, ministri i Diasporës e Investimeve Strategjike të Kosovës e ironizoi duke m’u përgjigjur se ai nuk qënka  kompetent të flasin për projekte infrastrukturore (!!!)

Pastaj, si për t’i dalë në ndihmë padronit të saj, ndërhyri dhe ambasadorja Sahatçia duke më sqaruar mua se ne jemi për kulturë dhe fëmijët shqiptarë këtu në Diasporë.

Duke parë se Ministrit të Diasporës të Kosovës po i pengojnë pyetjet dhe hallet që ka Diaspora Shqiptare, vendosa për të mos ua prishur “disponimin e mirë” atyre që vijnë deri në Amerikë me para të popullit për të shitur mend e besa dhe zhvatur Diasporën, vendosa të largohem nga  Takimi zyrtar, sepse nuk mundesha të rrija si dekor dhe me u rrah shuplaka fjalëve kote.

Ministri i respektuar edhe prej meje, Pandeli Majko, ndërhyri  duke thënë: Ne, Shqipëria, kemi kryer punën tonë dhe e kemi lidhur Plavë-Gucinë me Shqipërinë.

Megjithatë, unë e kisha ndarë mendjen dhe dola nga ajo sallë, nga ai Takim zyrtar.

Shtrohet pyetja: Vallë për çka vjen Minstri i Diasporës kur nuk i dëgjon hallet tona?! Po, a dinë ky zotëri, se aty ku ai është sot ministër i Kosovës, ka ardhur edhe falë punës së Diasporës dhe të kontributeve të këtyre njerëzve që ky i ironizon sot?!

Vallë, këta ministra a kanë në trupin, mendjen e shpirtin e tyre farë atdhetarie apo janë njerëz klubesh dhe gjak shitur…?!!!

 Po, për atë Kosovë tonën, dhe unë bëra gjithçka më takoi të bëja gjatë tërë jetës dhe veprimtarisë time kombëtare, në daç me burgosje  politike për veprimtari atdhetare që në moshë të re, edhe me luftë me Batalionin “Atlantiku” në Kosovë,  atëherë kur e kërkoi Zëri i Atdheut, idealet tona kombëtare panshqiptare.

 E sot, po i vjen randë ministrit të Diasporës të Kosovës, kur e pyes për rrugën nacionale Deçan–Plavë; për rrugën e shpresës për vendlindjen time Plavë-Guci; për këtë rrugë ndërkombëtare që i lidh tre shtete ballkanike: Kosovë-Mali i Zi-Shqipëri.

Unë për veten time e dij’ fort mirë se jam Diasporë, se jam pjestar i Diasporës Shqiptare në Amerikë, po deshta me e ditë publikisht e shtetërisht: a është ky Dardan Gashi – ministër i Diasporës Shqiptare…?!

 

 

                                        

 New York, më 8 Shkurt 2018