MEHMET BARDHI NGUSHËLLON E ME RASTIN E VDEKJES SË JONUZ MUSLIUT

 

 

FAMILJES SË JONUZ MUSLIUT

 

B U J A N OC

 

E nderuara familje Musliu,

Bashkëluftëtarë të Jonuzit, qytetarë të Luginës…të Kosovës Lindore,

Bashkëveprimtarë të Lëvizjes së Progresit Demokratik  (LPD),

 

Me dhimbje të thellë mësuam  se në moshën 59 vjeçare, në një spital në Turqi, ku gjendej në një trajtim mjekësor, pas një sëmundje të rëndë, vdiq biri Juaj i dashur, Jonuz Musliu, kryetar në detyrë i Kuvendit Komunal të Bujanocit dhe i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit e Medvegjes,  ish udhëheqës politik e komandant i Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc (UÇPMB) dhe i burgosur politik nga pushteti serbo-jugosllav për veprimtarinë e tij atdhetare.

 

Me këtë rast, në këtë dhimbje familjare e kombëtare, në emër të Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, partisë politike të parë të shqiptarëve në trojet e veta etnike, sot në Malin e Zi dhe në emrin tim personal pranoni ngushëllimet tona më të sinqerta.

 

Me Jonuzin unë pata rast që para dhjetë vjetësh të takohemi, të njihemi e të shkembejmë mendime e përvoja për veprimtarinë politike të shqiptarëve në trojet e veta stërgjyshore, sot në Luginën e Preshevës dhe në Malin e Zi. E kujtoj me respekt e me nderim.

 

Prandaj edhe njëherë pranoni ngushëllimet tona. Djemtë Fatlumin, Shqiprimin dhe Sarandin  i pastë me jetë e më fat për të vazhduar rrugën e lavdishme  që e trasoi dhe veproi politikisht po edhe në rezistencën e armatosur i jati – Jonuzi me bashkëluftëtarë, me aq përkushtim e lavdi, por edhe me mjaftë vështirësi e sakrifica vetëjake e familjare për të fituar lirinë e të drejtat kombëtare të shqiptarëve jo vetëm në Luginë… që po na i shkelin, cenojnë e mohojnë edhe sot e kësaj dite!

 

I qoftë dheu i lehtë në vendlindjen e tij, në Konçul të Bujanocit, ku sot po bëhet varrimi i tij, në Konçulin e tij dhe të gjithëve ku ishte edhe Shtabi i UÇPMB-së.

 

 

MEHMET BARDHI, kryetar i LD në MZ