VAJ HALLI !. – JENA BA ME NA KJA N’PECË!*

Shkruan : Esat Mehmeti, gazetar i Radio Ulqinit

 

 

E veçanta e zgjedhjeve lokale, në Ulqin, është se, subjektet shqiptare, dalin ndaras dhe të përçara. Krerëve të politikës shqiptare, duket se iu mungon kuraja e bashkëpunimit. Këta, pa kapitalin politik, me veprimet e tyre të pamatura mirë, po bëjnë hapa të gabuara, japin  shëmbullin e keq, japin karakterin e ulët politik. Një politikë që përçanë e shkatërron për synime të rastit, është politikë shterpë dhe krijon antivlerë !.

Edhe pak ditë na ndanë nga zgjedhjet lokale që do të mbahen në Ulqin.Siç dihet, ato do të mbahen, më 4 shkurt të këtij viti. E veçanta e këtyre zgjedhjeve, është se, subjektet shqiptare, dalin ndaras dhe të përçara. Edhe përkundër asaj se, pushteti lokal në Ulqin ushtrohej nga koalicioni i gjërë, i “fortë”me diktim nga Podgorica,(me ndërmjetësimin e PDS-it,të Gjukanoviqit), nga fillimi nuk ka funksionuar ashtu siç duhej. Marrëdhëniet brenda këtij koalicioni ishin të brishta, madje këto marrëdhënie po rrëshqasin poshtë e më poshtë, aq sa është krijuar një huti e madhe në opinion. Megjithatë, plasaritjet janë të qarta dhe të dukshme. Krerëve të politikës shqipatare, të këtij mjedisi, duket se u mungoi kuraja për bashkëpunim, për të gjetur një zgjidhje të duhur, për tejkalim të krizës së krijar. Por siç shihet, zemërimi, huqet dhe inatet e tyre e kanë thelluar krizën dhe kjo, tashmë është kurorëzuar me ndarje, në këto zgjedhje,( përjashtim bën këtu, një koalicioni  tepër i ngusht ). Fitohet bindja, se këtu, lufta është më tepër për një revansh politik, për të shfry mllefin e ngujuar.

                                              Antivlerat e zgjedhjeve,  zgjedhje pa zgjidhje !

Në parim, mungesa e kritikës, dëmton demokracinë, por si duket, subjektet e politikës shqiptare, nuk  brengosen fare për ndasitë dhe dështimet e tyre .

Këta, me veprimet e tyre të pamatura mirë, po bëjnë hapa të gabuara, japin  shëmbullin e keq, japin karakterin e ultët politik, pa shikuar hallet e atyre  që vrapojnë  për të siguruar bukën e familjes.

Këta, në vend që të jenë transparent, karshi qytetarëve, për mosrealizimin e premtimeve të pambajtura, këta kanë zgjedhur rrugën më të keqe, atë të ndarjës, duke reflektuar mungesën e kulturës politike. Këta, siç thotë një fjalë e urtë popullore; “Për një plesht,djegin jorganin.

Mungesa e bashkëpunimit ndërmjet subjekteve politike shqiptare, krijon antivlerë. Krerët e plitikës shqiptare duhet të angazhohen që kriza të zgjidhet me kompromis, me vullnetin e mirë, duke lënë anash kryeneçsinë, përçarjet, huqet dhe ambicjet lideriste.

Me keqardhje thëmi, por si rezultat i gjithë këtyre, shqiptarët në Mal të Zi  nuk kanë ende një qëndrim të përbashkët politik rreth mënyrës se zgjidhjes së kërkesave të shqiptarëve dhe rregullimit të statusit në këtë vend. Një platformë e përbashkët për shqiptarët, është më se e nevojshme, andaj  duhet një organizim i përbashkët, i të gjitha forcave politike, duke i mbledhur të gjitha forcat kadrovike dhe intelektuale, pa ndonjë xhelozi ndaj njëri-tjetrit, ashtu si kur punohet kudo në botën e qytetruar. Kështu, pa avancimin e forcave të reja e të pastra, pa një projekt për të ardhmen dhe perspektivën e shqiptarëve në Mal të Zi, poashtu edhe pa një politikë konstruktive nuk do të ketë perspektivë të partive shqiptare dhe të shqiptarëve në përgjithësi .

Shëmbulli më “i mirë” dhe më i freskët është rasti i komunës urbane të Tuzit, ku nga zgjedhjet e mbajtura muaj më parë, kulmoi  rezultati zhgënjyes i subjekteve shqipatre. E gjithë kjo ishte rezultat i kryeneçsisë, moskoordinimi i duhur dhe dalja me lista të ndara në zgjedhje. Nejse. Shkoi edhe kjo.” Çfarë  kanë mbjellur, kanë korrur”,thotë një fjalë e urtë popullore ! .

Në fakt, në qoftë se hedhim vështrimin nga realiteti shqiptar,del se çdo ditë e më shumë, elektoratit shqiptar, pjesë-pjesë po shkapërderdhet. Mjafton të hedhim një shikim listave të partive joshqiptre, pothuaj pjesën dërmuese të tyre e mbulojnë “shqiptarët “,madje edhe ata “kinse” me shkollim të ” lartë”, si dhe me “grada shkencore “. Vaj halli !. Këtu, sa është për t’u qeshur, është edhe për të qarë !. Por, nejse. “Demokraci ” i thonë kësaj, kemi demokraci më shumë se na duhet. Kemi aq liri, sa s’kemi çka të  bëjmë me te ”!!!.

Tashmë, politika e ka arritur objektivin e saj, atë të krijimit të një mjegullnaje. Boshllëku i krijuar, në shoqëri është i rrezikshëm. Gjithë ky boshllëk është i mbushur nga politikat e klaneve, e interesave ekonomike.

Tani, me këtë gjendje të krijuar, duhet ta kemi  të qartë; jo një subjekt i vetëm shqiptar, por dy e më tepër,së bashku, vështirë se munden të arrij numërin e nevojshëm për të drejtuar parlamentin e ardhshëm lokal, çka mandej duet kërkuar shpetim në vathën e dikujt tjetër!. Kështu, përdhosim vlerat tona kombëtare. Vaj halli !. Jena ba me na ka n’pecë !.

                   Këtu, kemi mbetur një grusht shqiptarësh, dhe koha e tranzicionit ka krijuar ngjarje për të cilat askush nuk ndjehet krenar. Nisur nga fakti se, më shumë jemi ndarë, se sa jemi bashkuar, çka dukshëm ka kulmuar në zbehjen e vlerave tona. Ju zotërinj të politikës, pa kapitalin politik, e keni ndarë shoqërinë, jo vetëm në dyshë, por edhe më shumë se duhet.!. Ju lumtë !. Por, vallë, një politikë që përçanë e shkatërron për synime të rastit, është politikë e mjeruar, është shterpë dhe antivlerë. Aty, ku inretesi personal vihet mbi interesin e përgjithshëm kombëtar, aty nuk ka zhvillim të duhur. Ne, në vend që tehun e kritikës ta drejtojmë atje ku duhet, ne, akuzojmë njëri-tjertit. Jmi bërë si brirët në thes. Kështu nuk shkohet përpara !.

Servilizmi për pushtet !

 

Servilizmi është bërë mënyrë e sjelljes, mënyrë e të menduarit dhe e të vepruarit. Me fjalë të tjera, servilizmi ka arritur që të ndërhyjë në karakterin e njeriut, duke e shëndërruar edhe shoqërinë në një shoqëri servile, të pa aftë dhe të pavullnetshme për të kundërshtuar këtë model. Andaj, ky është ambienti moral në të cilin gjendet shoqëria jonë.

Është kështu, sepse servilizmin i ngritur, e zhveshi shoqërinë shqiptare nga çdo mekanizëm mbrojtës, përkatësisht e vuri përballë sfidave ekzistuese, psikologjike dhe kombëtare. Kështu, në këto rrethana, një parti mund të fitojë pushtetin, jo në bazë të programit dhe të besueshmërisë se mund ta realizojë atë program, por në bazë të gatishmërisë për t’u bërë servile e grupeve të caktuar të  interesit. Kështu, mund të jesh i zhytur në korrupsion edhe të jesh në kundërshtim me ligjin, dhe jo vetëm që nuk ndiqesh penalisht, por përkundrazi, mund të gjesh strehë dhe mbrojtje në politikë, vetëm nëse vihesh në shërbim dhe nëse pranon të jesh servil ndaj grupeve të interesit.

Por, vallë !, mos harroni, se vlerat dhe virtytet e bukura dhe të mira njerëzore, gjithmonë e lartësojnë dhe e pasurojnë njerut dhe shoqërinë në përgjithësi .

Këtë shkrin e përfundoj me një thënie të shkrimtarit tonë të madh, Esad Mekulit, ku në një poezinë e tij, në mes të tjerave thotë : “Do të vijnë mbas nesh fëmijët tanë e fëmijtë e fënijve tanë dhe ata do të flasin për ne, ata do të gjykojnë për ne – Breznitë veprat i gjykojnë  …“

Kohët e reja, kërkojnë politika të reja. Andaj, dhashtë Zoti e mbushemi mend, dhe pas zgjedhjeve, subjektet politike shqiptare do të jenë  të bashkuar ! .

………………………..

*Jemi bërë me na qa n’pece .