Miqtë e studentët i japin lamtumirën maestros Basri Çapriqi

Lajmi për vdekjen e hershme të poetit e profesorit universitar, Basri Çapriqi, ka shokuar miqtë e në përgjithësi komunitetin e dashamirëve të letrave.

Me të kuptuar për vdekjen, miqtë e tij kanë shprehur dhembjen për ikjen e poetit në profilet e veta në Facebook.

Miku i afërt i Çapriqit, profesori universitar Ibrahim Berisha, ka theksuar faktin se ai shkoi nga kjo botë një ditë para se të mbushë 58 vjet, e se vdekja e tij lë prapa pikëllim e zbrazëti.

“Ulqinaku, poeti, kritiku, miku im prej tridhjetë vjetësh Basri Çapriqi, ka ndërruar jetë një ditë para ditëlindjes së 58-të, duke lënë prapa dhimbje e pikëllim, kujtime të çmuara e zbrazëti të pazëvendësueshëm për të gjithë ata që patën fatin ta njohin”, ka thënë Berisha, raporton Koha.net.

Faktin e ditëlindjes e ka theksuar edhe miku tjetër i tij, poeti e gazetari Halil Matoshi.

“Lamtumirë Maestro! Sa deshta me i shkru me ia uru ditelindjen qe e kishte sot, Arberi m’tha: Vdiq Basri Qaprici! Me Basriun ishim moce, ’61-sha. Ulqinaku i bute per nga natyra asht rrite e burrnue n’Prishtine. Basriu ishte nje nga ne, studjues, poet e veprimtar lirie. Ishte nder poetet me te mire ne Kosove qe u shfaqen ne vitet ’80, ne kulmin e roberise dhe shtetrrethimit. Studjues e kritik letërsie”, ka kujtuar Matoshi, raporton Koha.net.

“E sheh mik, sa pak kemi mbete knejpari… Shekulli yne po mbaron si fluske… Shekulli yne jetesor qe u shtri ne dy shekuj, mes robnise e lirise… Shekullit qe i dham frymen. Dhe na e hanger shpirtin. Lamtumire Maestro!

Falemnderit qe ishe nder ne!!!”, ka shtuar ai.

“Shpejt bre Basri, u prehsh në paqe mik. Ngushëllime familjes dhe miqve!”, ka thënë profesoresha universitare, arkitektja, fotografja e këngëtarja Eliza Hoxha.

Çapriqin e kanë kujtuar edhe ish-studentë të tij.

“Ishe profesori im në universitet, ishe ai profesori i mirë në ligjërim, ku fjala të pushonte mirë, ishe ai poeti që i këndove Ulqinit me dashuri dhe me mall, ishe ai profesori që më mbështete shumë në rrugën e letërsisë, ishe ai profesori që më vlerësove për librin tim ‘Polisemia e veprës’, ku edhe nga vlerësimi i yt e mora edhe çmimin kombëtar me këtë libër, ishe ai profesori që i pari më urove kur u bëmë edhe kolegë në universitet… ishe njëri i mirë, me zemër të mirë… E di që je në parajsë, sepse shpirti yt i mirë atje e ka vendin… Prehu i qetë o profa im, poeti im, miku im”, ka shkruar Flamur Maloku, ish-student e koleg i Çapriqit.

“Prehu në paqe prof. Basri Çapriqi. Letërsisë, studentëve e kolegëve do u mungosh në diskutimet e pafundme dhe nga të cilat asnjëherë nuk lodheshe!!!”, ka shkruar Donjeta Gashi, ish-studente e Çapriqit tash zëdhënëse në Qeverinë e Kosovës. /KohaNet/