Situatë e rëndë nga përmbytjet në Shqipëri, presidenti shqiptar Meta në Fier dhe Berat

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta ndjek nga afër situatën e krijuar nga përmbytjet e ditëve të fundit në Ferras të Fierit

 

2 dhjetor 2017

 

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta ishte sot në Ferras të Fierit për të ndjekur nga afër situatën e krijuar nga përmbytjet e ditëve të fundit.

Presidenti Meta, cili shoqërohej nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, z. Bardhyl Kollçaku, u takua me përfaqësues të institucioneve të angazhuara në operacionin për t’i ardhur në ndihmë banorëve të prekur nga përmbytjet.

Duke folur për mediat, z. Meta falënderoi punën e bërë nga të gjitha autoritetet shtetërore në përballimin e situatës së krijuar nga reshjet e ditëve të fundit. Një falënderim të veçantë Presidenti Meta bëri për mbështetjen e ardhur nga Kosova.

“Dua t’ju falënderoj për punën tuaj, të ushtrisë, të prefekturës, të shtabit të emergjencave, jo vetëm këtu në Fier, por kudo, të policisë. Një falënderim të veçantë për forcat speciale të ardhura nga Kosova për ndihmën dhe mbështetjen e tyre. Të gjithë jemi dëshmitarë të kapriçove të natyrës përveç problemeve që edhe ne vetë i kemi krijuar duke nënvlerësuar ligjet e natyrës. Por për fat të mirë eksperiencat e së kaluarës kanë qenë mjaft pozitive për të përballuar këtë proces për të mos pasur humbje të jetës së njerëzve, për të mos pasur as dëme serioze sa i takon gjësë së gjallë, të cilat kanë ndodhur në përmasa të mëdha në të kaluarën, – tha z. Meta. – Megjithatë, çdo përmbytje ka dëmet e saj dhe është e rëndësishme që edhe këto të evidentohen, por dua të shpreh mirënjohjen sidomos për forcat e ushtrisë që kanë bërë operacione të vështira edhe falë këtij angazhimit të tyre të policisë dhe të pushtetit vendor ne kemi një situatë më pozitive, gjë që nuk duhet të na ulë vigjilencën pasi kemi hyrë në kulmin e dimrit dhe përballë kapriçove të kohës duhet të qëndrojmë gjithmonë syhapur për arsye sepse dihen këto eksperienca”.

Presidenti Meta vlerësoi bashkëpunimin e të gjitha institucioneve shtetërore në menaxhimin e kësaj situate.

“Janë edhe vende shumë më të zhvilluara se ne të cilat kanë vështirësi në menaxhimin e përmasave të tilla, megjithatë unë besoj se kur koordinohet mirë, kur bashkëpunohet mirë dhe kur komuniteti e vetë banorët bashkëpunojnë me autoritetet dhe me ushtrinë e policinë, situata kalon me dëme më minimale. Kështu që urime të gjithëve për këtë punë të mirë që po bëni dhe që vazhdoni ta bëni”, – theksoi Presidenti Meta.

 

 

Pas Fierit, Presidenti Meta ndalet edhe në Berat për të inspektuar situatën e përmbytjeve

 

2 dhjetor 2017

 

Pasi pa nga afër situatën e krijuar nga përmbytjet në Qarkun e Fierit, Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta është ndalur në qytetin e Beratit për të inspektuar zonën e përmbytur në pedonalen e qytetit dhe u takua me Prefektin e Qarkut Berat, Harilla Dafa, ku u njoh me masat e marra për të përballuar emergjencën.

Gjithashtu, Presidenti Meta u takua edhe me banorët e prekur nga përmbytjet që janë strehuar në konviktin e shkollës industriale të Beratit.

Në një prononcim për median Presidenti i Republikës e vuri theksin te menaxhimi i situatës për t’iu qëndruar pranë banorëve të prekur nga përmbytjet.

“Besoj se situata është më mirë se dje aq më tepër edhe këtu në qytetin e Beratit, Osumi është qetësuar në krahasim me një ditë më parë pavarësisht se pasojat ndjehen, ashtu sikurse është rasti i disa banorëve të cilët janë të strehuar dhe janë në kujdesin e bashkisë në një nga konviktet e qytetit apo qoftë për dëmet që mund të kenë pasur banesa apo bizneseve të caktuara. Megjithatë, kjo situatë përveç kujdesit për menaxhimin e dëmeve të deritanishme dhe për të qëndruar pranë banorëve dhe për t’u krijuar atyre kushtet për të vazhduar jetën sa më normalisht kërkon edhe kujdes për të ardhmen sepse jemi në një kohë kur dimri bëhet i vështirë dhe i paparashikueshëm”, – deklaroi Presidenti Meta.