Përfundon numërimi i votave në Kosovë, Lëvizja Vetevendosje do të qeverisë me Prishtinën dhe Prizrenin

foto: fb

Shpend Ahmeti dhe Mytaher Haskuka fitojnë në Prishtinë respektivisht në Prizren

Prishtinën e fiton Ahmeti edhe pas numërimit të votave me kusht

Në QNR ka përfunduar procesi i numërimit të votave me kusht, me postë dhe të personave me nevoja të veçanta për Komunën e Prishtinës.

Kandidati i LVV-së, Shpend Ahmeti, njëherësh kryetar aktual i komunës, ka dalë fitues edhe pas numërimit të këtyre votave ndaj kandidatit të LDK-së, Arban Abrashi.

Ahmeti mori 861 prej votave me kusht, me postë dhe të personave me nevoja të veçanta, ndërsa Abrashi 733.

Haskuka, kryetar i ri i Prizrenit edhe pas votave me kusht

Kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, është kryetar i ri i Komunës së Prizrenit, në bazë të rezultateve preliminare të KQZ-së.

Ky konfirmim erdhi pas numërimit të votave me kusht, të atyre me postë dhe të personave me nevoja të veçanta, raporton Koha.net.

Kandidati i PDK-së, Shaqir Totaj, ndonëse pati më shumë vota në procesin e numërimit të votave me kusht, nuk ia doli të rrëzonte rezultatin e parë preliminar të KQZ-së për votat e rregullta.

Haskuka ka siguruar 329 vota në procesin e fundit të numërimit, ndërsa Totaj 368.

/Koha Net/