Besa Nikaj: Vëllau im katolik e musliman kanë qenë afër aq sa kam afër frymën, bukën, ujin e tokën

Shkruan Besa Nikaj*

Të nderuar bashkëkombas shqiptarë në Malësi.

Ditëve kur shqiptarët ndrydhen e shiten e blehen nën ombrellat gati fashiste të partive e përfaqësuesve të vetthirrun në fe e ne shtet, po u vjen fundi.
Pa deshtë me e margjinalizu rolin femer në këtë shoqëri, të ja u kujtoj që malësorët me rrënjë e histori nuk kanë nda pune burrash e punë grashë kur ka ardhë në rend çështja dhe mirëqenia e gjakut tonë shqiptar.

Edhe kësaj radhe më të mirët e Malësisë janë bërë Besa-Besë për me ja ruejt nderin, emrin, të mirën e të merituaren kësaj treve të shenjtë.

Lidhja Demokratike Shqiptare në Malësi, para se të jetë një parti jurdikisht, është mbledhja e trurit dhe zemrës së pastër për një të ardhme të përbashkët të dinjitetshme.

Unë jam rritë e formua me idenë e një vendi ku vëllau im katolik e musliman kanë qenë afër aq sa kam afër frymën, bukën, ujin e tokën.

Unë zotohem që për aq sa kam zë do i mbaj kaq afër gjithmonë, kësaj radhe jo vetem në një shpresë, por në një realitet. Malësia e bashkuar politikisht dhe e besatuar për një të ardhme që na takon, është zgjidhja dhe zgjedhja e vetme për ata që kanë kuq e zi në vena.

Numri 2, ne, ju e ndërtojmë kalanë e amaneteve dhe aspiratave shekullore që të rrijmë si një trup i vetëm në të mirën e përbashkët kombëtare.
“Ky vend që e kam si fe e përmbi fe, e kam vatan, e kam atdhe”.

*Besa Nikaj është pjesë e listës së LDSH për zgjedhjet komunale në Tuz.