PARTITË POLITIKE DHE DEMOKRACIA INTERNE

Shkruan Qani  Osmani

 

Marrëdhënjet brendapartiake, në parim paraqesin fshehtësi për njerëzit jashtë partive, por nganjëherë edhe për vetë anëtarët e rëndomtë të partive politike. Është e zakonshme që partitë para opinionit të plasojnë informata mjaft tërheqëse për strukturën e anëtarësisë partiake, funksionimin e organeve partiake, pjesëmarrjen e barabartë në diskutim të anëtarëve të partisë pa marrë parasysh pozitën e tyre në hierarkinë partiake etj. Megjithatë, edhe pse informatat që i ofrojnë organet partiake dhe individë të autorizuar lënë përshtypje se brenda partive politike lulëzon demokracia, analizat më të thella çdoherë e vërtetojnë të kundërtën, respektivisht se jeta partiake nuk përkon me marrëdhëniet e vërteta demokratike. Mbetet një e vërtet e pakontestueshme ajo që thonë shumë hulumtues se: “Udhëheqjet partiake në parim nga sytë e opinionit, por edhe nga anëtarësia e vet, me xhelozi e fshehin armaturën e brendshme dhe anatominë e partive të tyre”.

Në bazë të raporteve të brendshme partitë politike ndahen në “demokratike” me shkallë të ndryshme të demokracisë në to dhe “autoritare autokratike “ me shkallë të ndryshme të autokracisë. Për partitë demokratike është karakteristike se anëtarët në to anëtarësohen me vullnet të lirë, ato në përmasa më të mëdha ose më të vogla janë pjesëmarrëse në formimin dhe realizimin e politikës së partisë dhe normalisht, në rast të largimit nga partia nuk kanë pasoja në aktivitetin e tyre profesional dhe në jetën e përditshme. Partitë autoritare (autokratike) llogariten partitë në të cilat anëtarët në parim gjenden jashtë procesit të formimit të politikës brendapartiake. Anëtarësia në këto parti rreptësisht i nënshtrohet udhëheqjes dhe pa parashtruar pyetje vihen në shërbim të zbatimit të urdhërave të saj. Në këto parti është e pamundshme anëtari vullnetarisht të largohet nga radhët partiake, ndërsa përjashtimi nga partia është i barabartë me ndjekje.

Kur flasim për minimumin e raporteve demokratike brenda partive politike dhe në qoftë se si parametër e marrim vullnetin e lirë të qytetarëve në procesin e antarësimit, gjithsesi duhet theksuar se vullneti i lirë është kategori relative dhe drejtpërdrejt e lidhur me motivet e anëtarësimit që më tepër janë të natyrës psikologjike dhe është vështirë të zbulohen. Në qoftë se në shoqëri nuk funksionojnë instuticionet e sistemit dhe qytetari është i detyruar të anëtarësohet në parti politike për t’i realizuar disa të drejta dhe liri elementare që konsiderohen si vlera të përgjithshme të demokracisë moderne, siç është për shembull e drejta e punësimit. Në atë rast është tepër vështirë të flitet për anëtarësim në bazë të vullnetit, por mund të flitet për anëtarësim të një dhune të sofistikuar. Nënkuptohet se këtu duhet eliminuar motivet e antarsimit në fazën nismëtare të pluralizmit partiak, ku qytetarët e Malit të Zi, sidomos ata shqiptarë, në partitë e tyre u anëtarësuan nga motive shumë të sinqerta duke qenë të bindur se organizimi politik-partiak i shqiptarëve në Mal të Zi është alternativa e vetme që çon drejt homogjenitetit kombëtar dhe avancimin e çështjes shqiptare në Mal të Zi.

Megjithatë, me kalimin e kohës shumëçka u zbeh dhe votuesit shqiptarë dalëgadalë janë duke e mësuar “alfabetin” e funksionimit të partive politike me të gjitha përparësitë dhe mangësitë që i ngërthen në vete. Është fshehtësi publike se sot partitë politike në këtë shtet (sidomos ato të pozitës), veç tjerash e luajnë edhe rolin e enteve për punësim, se fati dhe perspektiva e shumë qytetarëve profesionalisht shumë të përgatitur varen nga vullneti i “bosave lokal”, të cilët në të shumtën e rasteve nuk posedojnë kurrfarë vlerash shoqërore, por megjithatë janë shumë të “dashur” për oligarkitë partiake për arsye të njohura.

Në qoftë se i marrim dhe i analizojmë dokumentet partiake të partive politike shqiptare në Mal të Zi, lirisht mund të përfundojmë se te ato “lulëzon demokracia e brendshme (interne)”. Të gjitha partitë politike shqiptare në statutet e tyre e avancojnë pozitën e anëtarit të rëndomtë të partisë frymën kolektive në procesin e vendimarjes, duke krijuar një opinion se bërthama partiake dhe udhëheqja e shprehin vullnetin e anëtarësisë së gjërë, se ato me çdo kusht janë vetëm transmetues të vendimeve paraprakisht të marra në nivele apo forume të ndryshme partiake etj. Megjithatë, çdo anëtar i rëndomtë i partive politike, por edhe trupi zgjedhor në përgjithësi, e kanë më se të qartë se dallimi ndërmjet deklaratives dhe të realizueshmes, teorisë dhe praktikës te këto parti politike është shumë i madh.

Për partitë politike shqiptare që veprojnë në Mal të Zi, argument mjaft i randësishëm në këtë drejtim është luhatshmëria në bindjen politike të trupit zgjedhor shqiptar i cili në mënyrë drastike ndryshon pas një cikli të shkurtër kohor, duke ia dhënë votëbesimin subjektit më të ri shqiptarë që u paraqit në skenën politike të Malit të Zi. Domethënë votuesit shqiptarë edhe pas dy dekadave e më tepër të jetës pluralo-partiake edhe më tutje gjenden në fazën e kërkimit të subjektit politik shqiptar i cili në mënyrë të mirëfilltë dhe me konsekuencë do të prezentojnë dhe t’a mbrojë interesin e popullatës shqiptare në mikro dhe në makro-plan.

Kur flasim për demokracinë brendapartiake (interne) çdoherë duhet të kemi parasyshë se shikuar në përgjithësi është fjala për demokraci të “tërrthortë”, domethënë indirekte që vetëvetiu e nënkupton edhe mundësinë e tjetërsimit të pushtetit politik,me ç’rast të zgjedhurit gjatë procesit të vendosjes duke i shfrytëzuar pozicionet e krijuara në vend që ta shprehin vullnetin e atyre që i kanë zgjedhur, ata e shprehin qëndrimin dhe vullnetin e tyre personal, duke mbajtur çdoherë llogari për interesat më të ngushta.

Si faktorë i dytë që ndikon në zhvillimin e demokracisë interne është “emancipimi” politik i anëtarësis. Anëtarët e paarsimuar objektivisht mund shumë lehtë të manipulohen. Që të jetë procesi politik demokratik nuk mjafton që të jenë pjesëmarës në diskutim numër sa më i madh i anëtarëve të partisë. Pjesëmarrja në debate automatikisht nuk nënkupton se antarësia e gjërë me këtë bëhet edhe kreatore e vërtetë e taktikës dhe strategjisë partiake. Gjithësesi, anëtarët e partisë që nuk kanë së paku një minimum të njohurive e kanë shumë vështirë të kyçen në debat, t’i japin kahe debatit, të japin propozime konkrete, të ofrojnë alternativa dhe së fundi, të përcaktohen mëvetësishtë në bazë të vetëdijes së tyre.

Si faktorë tjetër që ndikon në nivelin e demokracisë interne është “informimi” permanent i anëtarëve të partisë dhe puna publike e organeve partiake. Partitë politike në praktikën e veprimit të tyre, me qëllim ose pa qëllim ndodhin ngecje në atë që do ta kishim quajtur sistem i informimit brendapartiak. Do të thoja se në të shumtën e rasteve funsionon “sistemi informativ i dozuar”. Organet më të larta partiake, respektivisht funsionarët e lartë partiakë, një sasi të informatave që kanë të bëjnë me funsionimin e partive politike i mbajnë si “fshehtësi”. Mbajtja e informatave si diçka e fshehtë bëhet së paku për dy qëllime kryesore. Si e para, në këtë mënyrë funsionarët e lartë partiakë dëshirojnë të fitojnë në peshë, se gjoja ata janë diçka e veçantë dhe se roli i tyre në parti është shumë më i rëndësishëm se roli i të tjerëve, dhe si e dyta, bërthamat partiake shumë shpejtë “vetëdijesohen” për pozicionet e tyre dhe e kuptojnë se në duart e atij që i posedon informatat gjendet edhe pushteti i vërtetë.

Shikuar nga ky këndvështrim, nuk janë aspak naive dhe pa prapavijë veprimet e liderëve të partive politike shqiptare në Mal të Zi, të cilët nuk mbajnë kontakte të rregullta me anëtarësin e gjërë, i thyejnë edhe normat statutare në aspektin e mbajtjes së mbledhjeve me forumet e niveleve të ndryshme partiake, dhe së fundi, edhe atëherë kur vendosin të mbajnë mbledhje, rendin e ditës e shpallojnë aty për aty. Kjo bëhet me të vetmin qëllim që anëtarësia e rëndomtë ose funsionarët e niveleve më të ulta të mos kenë kohë të mjaftueshme që të jenë aktiv, të marrin qëndrim kritik ose të formojnë qëndrim të vetin që do të kishte qenë ndoshta edhe krejt ndryshe nga ai që e imponojnë oligarkitë partiake. Andaj nuk është e rastit që intelektualët, e sidomos ata që janë të dëshmuar në profesionin e tyre të mos jenë të mirëseardhur në mbledhjet partiake.

Për fund mund të përfundojmë se si parti demokratike mund të konsiderohet vetëm partitë politike në të cilat pushtetin e ushtrojnë anëtarët drejtëpërrsëdrejti, ose në mënyrë të tërthortë, atëherë kur organet partiake e realizojnë vullnetin e anëtarësisë, respektivisht vullnetin e shumicës, sidomos kur është në kundërshtim me qëndrimet e kreut partiak.