NGJARJE DHE PERSONA NË SKICAT E NJË GAZETARI

 

Aleksandar Janinović, Ulcinjske skice, ”Pobjeda”, Ulcinj, 2017

Shkruan Dr.Nail  Draga

Të gjithë jemi dëshmitarë se në këtë kohë të pluralizmit, është rritur dukshëm numri i botimeve  të zhanreve të ndryshme si nga profili  shkencor, letrar dhe artistik. Por, duhet veçuar  botimet nga fusha e publicitikës  që janë të veçanta  në sajë të temave te trajtura  në mjedisin përkatës.

Në gamën e botime të tilla bën pjesë edhe libri Ulcinjske skice(Skica ulqinake), e gazetarit e publicistit ulqinak Aleksadar Janinoviqi. Autori i këtij botimi  edhe pse me përgatitje profesionale i përket profilit arsimor, ai me plot pasion iu përkushtua gazetarisë, duke dhënë kontribut me vlerë për katër dekada, si korrespodent nga Ulqini i të përditshmës Pobjeda. Ishte kjo media e vetme e shkruar në monizëm në Mal të Zi, ku autori  ishte  dëshmitar dhe  kronist  i ngjarjeve të ndryshme të kësaj periudhe. Nuk ka dilemë së përmbajtjen e artikujve të tillë duhet vlerësuar në varshmëri të kontekstit kohor të rrethanave shoqërore në mjedisin përkatës.

Ndonëse autori tash është në pension, ai ka bërë një përzgjedhje te 70 artikujve nga gama e gjerë e veprimtarisë publicistike. Një veprim të tillë e vlerësojmë të qelluar  sepse kjo formë   e botimeve është bërë dukuri bashkëkohore.

Subjekt i trajtimit të tyre skicave janë  ngjarje  dhe persona të profileve të  ndryshme, si nga aspekti profesional, gjuhësor, fetar e nacional. Pra kemi të bëjmë me një mozaik social,  multikulturor e multinacional, duke dëshmuar tolerancë praktike e njohur si modus vivendi  dukuri  kjo e cila e veçon Ulqinin nga mjediset tjera.

Kemi të bëjmë me një kohë kur kanë ndodhur ngjarje e ndryshime të mëdha në ish shtetin e përbashkët, ku përjashtim nuk ka bërë as Mali i Zi e as Ulqini. Në veprimtarinë e vet të gazetarit autori i këtij  botimi ka përjetua monizmin dhe pluralizmin, por ai i ka   qendruar besnik profesionalizmit e jo devijimeve të politikës ditore.

Sepse me guximin dhe qendrimin e tij  personal Janinoviqi  ka sfiduar rethanat e kohës, duke qenë parimor  me   qasje humane e energji pozitive, si rrallë kush në atë kohë. Një konstatim i tillë  është  dëshmuar kur ishte në funksione zyrtare,  për tre vite si sekretar i Komitetit Komunal të Komunistëve, por edhe më pas kur ishte drejtor i Qendrës së Kulturës në Ulqin.  Nga informacionet që disponojmë  del se ishte  guximi  i tij personal duke iu kundërvënë  klaneve apo individëve destruktiv në Ulqin duke i bllokuar qellimet e tyre djallëzore ndaj kuadrave shqiptare. Sepse ishte koha kur në mënyrë perfide  individet e ndryshëm etiketoheshin  si armiq, apo të papërshtashëm për sistemin e kohës.

Në këtë botim autori cekën një numër të konsideruar personash që lidhën me Ulqinin, nga e kaluara e deri në ditët tona. Të shkruhet për një galeri të tillë personash nuk ishte e lehtë, por autori me qasjen profesionale na ofron të dhëna qe janë më interes  për opinion e gjerë.

Por, me të drejt bëhët pyetja qytetare  se a i kemi nderuar këto personalitete të cilët kanë dhënë kontribut  në fusha të ndryshme për Ulqinin? A është aktualizuar një çështje e tillë nga intelektual, shoqëria civile apo pushteti lokal i Ulqinit, dhe sa është punuar në këtë drejtim?

Unë më këtë rast dua të ceki një personalitet i cili prezantohet në këtë botim e ka të bëjë enkas me mozaikun e Krruçit, e ky është Pavle Mijoviqi. Fjala është për një person i cili nuk është nga Ulqini, por ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për kulturën e Ulqinit. Ai me profesion ishte historian i artit, por hiç me  pak edhe arkeolog, studiues e mbi të gjitha intelektual. Ai deri në fund të jetës së tij i mbeti besnik shkencës duke mos u politizuar, sikurse disa kolegë të tij, të cilët kishin devijuar, duke u vuar në shërbim të politikës ditore.

Eshtë meritë  e punës  së tij  profesionale  në themelimin e Muzeut të Ulqinit dhe të botimeve të ndryshme shkencore, që trajtojnë Ulqinin dhe rrethinën e tij.

Por, ne lidhje me këtë personalitet të veçantë të shkencës dhe kulturës,  më këtë rast dua të ceki, se  me rastin e vdekjes së tij(1996), personalisht kam shkruar tekstin in memoriam, qe e kanë botuar mediat në gjuhën shqipe në Ulqin, Prishtinë, Shkup e Tiranë. Ishte ky shkrimi i vetëm njoftues në shqip, për këtë studiues me përmasa ndërkombëtare.

Po ashtu duke vlerësuar punën e tij studimore, me 17.12. 2014, me propozim te Art Clubi-t, Qendrës së Kulturës dhe Bashkimit të Krijuesve Shqiptarë  në Mal të Zi, Kuvendi i Komunës së Ulqinit e ka dekoruar me dekoratën “Mirënjohja e Ulqinit”(post humno) me këtë motivacion “për merita të mëdha në themelimin e Muzeut të Ulqinit, si dhe në hulumtimet dhe botimin  e studimeve për Ulqinin nga fusha e arkeologjisë dhe historisë së artit”.

Por  nderimi i këtij personaliteti nuk përfundon me kaq, sepse Keshilli  për  dhënien e propozimeve  për emërtimin e rrugëve, shesheve dhe institucioneve në komunën e Ulqinit, i propozon Kuvendit të Ulqinit që një rrugë të mbaj emrin e Pavle Mijoviqit në lagjën e Meterizit, propozim ky që është miratuar nga Kuvendi i Ulqinit me datën 07.9.2015.

I ceka  këto të dhëna se si qytetarë e kemi obligim moral të nderojmë personalitete të tilla, të cilët kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për qytetin e Ulqinit, e një nder ta padyshim është edhe akademik Pavle Mijoviqi. Mendoj se ne këtë aspekt  duhet të vazhdohet edhe në të ardhmën, sepse mirënjohja është akt vlerësimi, nderimi dhe qytetarie.

 

Dhe në fund e them pa dilemë së të  gjithë ata të cilët duan apo kanë deshirë të merren me gazetari kanë mundësi të mësojnë nga autori i këtij botimi, sepse skica është forma më e shkurtër dhe më e vështirë në gazetari. Sepse duhet të shkruash shkurt por të thuash shumë, më plot mesazhe për ata qe dijnë dhe duan të kuptojnë.

 

Nuk ka dilemë se me këtë libër  pasurohet  fondi i botimeve nga fusha e publicistikës  dhe si i tillë do të jetë i mirëseardhur për opinion e gjerë, e në mënyrë të veçantë për qytetarët e Ulqinit. Andaj, duke marrë parasysh tematikën e trajtuar dhe qasjen e autorit, duhet të jetë referencë e domosdoshme për të gjithë ata të cilët do të trajtojnë tema të ndryshme në lidhje me Ulqinin.

Uroj dhe shpresoj qe autori i këtij botimi së shpejti të përgatisë edhe vëllimin e dytë, se nga përvoja shumëvjeçare, ka shumë çka ti ofroj opinionit të gjerë. Sepse ne vendet e qytetëruara thënia latine verba volant scripta manent  mbetet testament i përhershëm, për të tashmën dhe të ardhmen.

 

 

 

(Lexuar me rastin e përurimit të librit në Ulqin më 28.10.2017)