DY VETORI I RËNIES HEROIKE TË KRISTJAN LEKËS

Nga Gjek Gjonlekaj/New York

Dy vjet më parë më 31 tetor natën e Halloween, humbi jetën tragjikisht në moshën 25-vjecare shqiptaro-amerikani Kristjan Leka. Në muzgun e asaj nate tragjike, Kristjan Leka kishte vajtur për të shoqëruar  motrën Fionën 10-vjeçare dhe të dashurën Gretën. Kishin  shkuar në Morris Park Avenue, ku organizimet e këtij festimi ishin më të përgatitura. Natyrisht se motra dhe e dashura  e tij ishin përgatitur për aktivitetet e këtij festimi shumë të njohur në shoqërinë amerikane.  Nata e Halloween është festë pagane shumë e vjetër, bile keltët qysh në kohët antike  kishin filluar të parët të kremtojnë këtë natë që për qytetërimin e sotëm mund quhen ndonjëherë qesharake. Në malësitë tona shqiptare “dita e halloween” quhej “dita e koreve”. Ato karnevale ishin shumë të ngjajshme me ditën e halloween të Amerikës. Atje nuk jepte kush dhurata siç bëjnë në Amerikë. Në ato lojëra nuk kishte shtriga, por në vend të tyre kishte  burra të veshur për hukubet, bile disa nga ata dukeshin si majmuna. Lojrat e tyre shumë herë ishin qesharake por disa herë edhe banale. Këtu në Amerikë këto ceremoni pagane shumë herë janë shoqëruar  me incidente e tragjedi. Kështu ndodhi edhe me  Kristjan Lekën. Ata ishin përgatitur për çaste të gëzuara por sa filluan aktivitetet e atij argëtimi nje veturë që kishte humbur kontrollin total, kishte dalur nga rruga dhe ishte përplasur në anën tjetër në trotuar ku po kalonin Kristjani,Fiona e vogël dhe Greta. Pas pak sekondash kjo rrufe do të shpërthente në tragjedi. Ndjenjat e tij supërhumane e çuan Kristjanin drjetë fill në vdekje, duke shpëtuar  kështu motrën e të dashurën. Ungjilli i Ri thotë se nuk ka vepër më të madhe se të japësh jetën për të shpëtuar dikë tjetër. Fundi i jetës së Kristjanit ishte shumë i ngjajshëm me fundin e jetës së Shëlbuesit, emërin e të cilit e mbante me shume krenari.  Fionën dhe Gretën  i largoi nga vdekja,por ai vet u godit nga ajo veturë si të kishte qënë shkëmbë meteori. Kristjani e pau vdekjen e tij me sy por nuk iu shmang vetëm për të shpëtuar motrën dhe të dashurën. Shoferi vuante nga epilepsia dhe nuk kishte marrë ilaçe ato ditë. Pasi kishte goditur Kristjanin, vetura u vërsul kundër 65-vjecarit Louis Perez dhe mesës së tij Nyanna Aquill. Gjyshi dhe mesa u goditën për vdekje. Edhe ata dhanë shpirt në vend. Louis Perez ishte dalluar në Luftën e Vietnamit  dhe mbante titullin hero.

Për rënjen tragjike të Kristjan Lekës  dhe Louis Perez e Nayanna Aquill njoftuan me shpejtësi rrufeje të gjitha kanalet radio-televizive të Shteteve të Bashkuara. Shkuan atje korrespondetët më të njohur të Amerikës për të dhane lajme nga vendi ku ndodhi ajo tragjedi. Të gjitha kanalet e fillonin emisionin me këtë ngjarje tragjike dhe heroike. Aty për aty Kristjan Lekën e quanin hero, duke treguar për origjiën e tij kombetare. Heroizmi i tij u nderua me shumë dhimbje e lot nga qytetarët amerikanë e shqiptarë. Njrerëzit e kishin parë me sy aktin e tij heroik. New Yorku e përjetoi rëndë këtë tragjedi. U komentua nga autoritetet më të larta të këtij qyteti. Bile edhe gazetat e mëdha siç është “The New York Times” dhe “The Wall Street Journal” e cilësuan rënjen tragjike të Kristjan Lekës si një akt të përkryer heroik. E nderuan me fjalët më të bukura të gjuhës anglishte. Gaztarët amerikanë njoftonin me lot në sy për këtë hero që kishte lindur në Bushat afër Shkodrës.

Familja Leka imigroi në Shtetet e Bashkuara 20 vjet më parë. Kristjani pasi kishte mbaruar shkollën e mesme  kishte filluar punën në një ndërmrrje të madhe transportime madhërash. Atje bënte fitime të mëdha dhe ishte shumë i lumtur në punë. Shokët dhe shoqet e punës e nderonin sepse ishte shumë i dashur dhe bujar. Perëndia i kishe dhënë nje hijeshi të jashtzakonshme. Kristjani  adhuronte të gjitha sportet. Ai kishte pamjen e një aktori. Prindërit e tij Martini dhe Landa tregojnë shumë për sjelljet e tij të shkëlqyeshme në familje. Ishte tëpër i dashur me vëllaun Aldo dhe motrën Fiona. Kristjani nuk kursente asgjë për familje. Në një rast tregon Martini, isha në përgtitje e sipër për një vizitë në Shqipëri. Kur e mori vesh se do të qëndroj atje disa  javë më ofroi 25 mijë dollarë nga kursimet e tij për të meremetuar shtëpinë ku kishte lindur në Bushat. Respekti i shqiptarëve dhe i amerikanëve shihet edhe sot pas dy vjetësh.
Në  2 vjetorin e rënjes së tij shkuan shumë shokë dhe shoqe tij për ta parë atë vënd tragjik ku kishte humbur jetën Kristjani. Bile në një prej atyre lokaleve organizuan një mbrëmje përkujtimore. Në vendin ku humbi jetën është vendosur një pllakë  përkujtimore. Këtë nderim e realizoi asambleisti Mark Gjonaj. Ky politikan i mirënjohur shqiptaro-amerikan është treguar shumë i kujdesshëm ndaj familjes së Kristjan Lekës. Me rastin e dy-vjetorit të rënjes së Kristjanit vizituam këtë familje ende shumë e tronditur. Ishin shumë të pikëlluar për djalin e tyre. E qanin me lot njësoj si para dy vjetësh.

Gazeta “The Wall Street Journal” shkruante dy vjet më parë se në Washington D.C do të ndërtohet një memorial ku do të gdhënden  emërat e të gjithë atyre që kanë dhënë jetën për shpëtimin e të tjerëve. Në këtë monument do të gdhëndet me germa të arta edhe emëri i Kristjan Lekës. Kjo mund të quhet njëra prej veprave më heroike të shqiptarëve të Amerikës. Për Kristjan Lekën janë shkruar e kënduar shumë këngë nga shqiptarë  dhe amerikanë. Këngën “Kristjan Leka-Nderi i Kombit ” e këndoi artisti i mirënjohur Frederik Noci. Edhe rapsodët shqiptarë kënduan për këtë hero të diasporës shqiptare të Amerikës. Këtu shquhet rapsodi Gjovalin Shani për vargjet e tij të dhimbshëm dhe me shumë emocione.

Ky kalorës që ishte si yll drite meriton nderimet më të larta të kombit shqiptar. Trima të tillë nuk ka shumë shoqëria njereëzore. Për trima si Kristjan Leka janë bërë vepra të mëdha poetike dhe artistike qysh në kohërat biblike. Gazetat më të mëdha të Amerikës I dhanë titullin shumë të merituar ‘Kristjan Leka is an Albanian-American hero”. Varri ku pushon Kristjan Leka në përjetësi në “Gates of Haven” duhet të vizitohet dhe të nderohet nga shqiptarët e Amerikës dhe ata që vijnë këtu nga trojet shqiptare. Krstjan Leka meriton nderimet më të larta të kombit shqiptar. Ai është nderi i kombit.