Lindur e rritur në Mal të Zi, futbollisti 25-vjeçar do vetëm Shqipërinë

INTERVISTA/ Lindur e rritur në Mal të Zi, sulmuesi 25-vjeçar do vetëm Shqipërinë: Lë Amerikën dhe vij për të bërë realitet ëndrrën time!

 

Është lindur në Mal të Zi, por dëshira e tij është të veshë fanelën kuqezi. Bledi Bardhi, sulmuesi shqiptar që luan në Amerikë me skuadrën e New York Cosmos ka dhënë një intervistë për newsport.al.

 

 

Ai shpreh hapur dëshirën për t’iu bashkuar skuadrës së Christian Panuçit. Ka luajtur me Lampard dhe Pirlon, por mungesa e dokumenteve e penalizoi atë të vijonte më tej.

Tashmë po shkëlqen me ekipin e tij në NASL (ligën e dytë amerikane) dhe ëndrra e tij është ftesa për t’u grumbulluar me Shqipërinë. Edhe pse është lindur në Mal të Zi, zemra e 25-vjeçarit rreh vetëm “kuqezi”.

– Bledi Bardhi jeni lindur në Tivar apo Ulqin?
Kam lindur në Tivar të Malit të Zi.

– Prej sa vitesh jeton në Amerikë?
Kam 4 vite e gjysmë që jetoj këtu.

– Ndërkohë në cilën skuadër po aktivizoheni?
Po luaj me skuadrën e New York Cosmos në NASL (ligë e dytë në SHBA)

– Më parë keni luajtur me New York City-n, ku kishit në skuadër Pirlon dhe Lampard. Pse u larguat?
Në fakt nuk u largova me dëshirë, por mungesa e dokumenteve më penalizoi.

– Si futbollist, ku jeni formuar?
Me ekipin e OFK Bar në Tivar.

– Pse zgjodhët Amerikën dhe jo Europën?
Pasi këtu në Amerikë kam njerëzit e mi. Më pëlqen jeta dhe jam pështatur mirë këtu.

– Ti ke dëshirë të jesh pjesë e Kombëtares shqiptar. Pse zgjedh kuqezinjtë dhe jo Malin e Zi?
Pasi unë ndihem dhe jam shqiptar. Do të isha shumë i lumtur nëse do të grumbullohesha. Do të ishte një ëndërr për mua.

– Jashtë, në dy ndeshjet e fundit u la Jahmir Hyka, një futbollist i cili ka dhënë shumë për Kombëtaren tonë. Beson se e meriton një vend në Kombëtare duke parë edhe cilësitë e lojtarëve aktualë?
Absolutisht që po!

– A beson se zgjedhjet e Panuçit janë të drejta?
Zgjedhjet nga stafi teknik mendoj se janë të mira dhe pozitive, por ka shumë lojtarë shqiptarë nëpër Europë apo Amerikë që do të kishin bërë mirë me Kombëtaren nëse do t’u jepej shansi.

– Ke pasur kontakte me FSHF-në?
Jo, asnjëherë.

– Ç’mendon për shqiptarët që refuzojnë kombëtaren kuqezi?
Nuk di ç’të them. Nëse je shqiptar, ndihesh shqiptar edhe ke mundësi të luash për Shqipërinë, është e pakonceptushme t’i thuash “JO”.

– Ju falënderojmë për intervistën dhe së shpejti, pse jo, t’iu shohim në Kombëtare…
Iu falënderoj ju që ma mundësuat dhe iu uroj suksese. Inshallah!  /Retin TOKA, newsport.al/