Dekompozimi territorial sipas Traktatit të Shën Stefanit dhe Kongresit të Berlinit – LUFTA PËR TIVARIN SIPAS S.GOPÇEVIQIT (VI)

Në sajë të marrëveshjeve paraprake  Paqja e Shën Stefanit  në mes Rusisë dhe Perandorisë Osmane u nënshkrua me 3 mars 1878. Rusia bëri çmos dhe mbeshteti aleatet ballkanik, duke i siguruar Malit të Zi zgjerim territorial, dalje në det duke legjitimuar aneksimin e territoreve shqiptare.

Por, Anglia dhe Austro-Hungaria me kohë e kishin sinjalizuar Rusinë se nuk do të pranonin kurrfarë paqeje  që nuk do të ishte në përputhje me interesat e tyre. Me një fjalë kemi të bëjmë me një Traktat politik sipas interesave sllave të udhëhequr nga Rusia për dominimin e saj gjeopolitik në Europën Juglindore. Kështu në Shën Stefan u muar vendim që pjesë të mëdha të hapësirës etnogjeografike shqiptare t’i jepeshin Serbisë, Malit të Zi dhe Bullgarisë.

Kështu Malit të Zi i jepeshin Ulqini, Tivari, Kraja, Ana e Malit, Hoti, Gruda, Kelmendi, Vermoshi, Plava, Gucia, Rugova etj.(neni 1). Më njëherë u vendos për formimin e Komisionit përkatës për caktimin e vijës kufitare në mes Malit të Zi dhe Turqisë. Por, duhet theksuar se deri në Kongresin e Berlinit, mbi kufijtë në mes Malit të Zi dhe Turqisë në anën e Shqipërisë nuk është arritur marrëveshje e detajuar dhe globale.

Traktati i Shën Stefanit ishte vepër e Rusisë dhe aleatëve të saj ballkanikë, dhe si i tillë ishte akt ndërkombëtar që konfrontoi interesat e Fuqive të Mëdha dhe shënoi fillimin e copëtimit të trevave shqiptare në dobi të monarkive ballkanike. Ishte pikërisht ky Traktat i cili u bë shkak përçarjesh  e grindjesh të thella e të zgjatura midis popujve të Ballkanit, u bë nxitje për luftëra të reja e më të tmerrshme. Nga ky Traktat dual qartë se Perandoria Osmane nuk ishte në gjendje të ruante  tërësinë e saj tokësore në Gadishullin Ballkanik, por më tepër , do t i detyronte shqiptarët të paguanin me tokat e tyre për disfatën që ajo kishte pësuar. Me një fjalë Traktati i Shën Stefanit nxori në shesh tërë politikën grabitqare, rrezikun e madh të copëtimit të tokave shqiptare si dhe interesat gjeopolitike të Fuqive të Mëdha në Europën Juglindore.

Por, vendimet e Shën Stefanit mbetën vetëm në letër, sepse me një projekt të tillë nuk u pajtuan Fuqitë e Mëdha evropiane rivale të Rusisë, të cilat nuk mund ta lejonin dominimin e Rusisë në Ballkan. Ato kërkuan që të rishqyrtoheshin të gjitha hollësitë e Paqes së Shën Stefanit.

Pikërisht në lidhje me ketë çështje Austro-Hungaria, që me 6 mars 1878 dha propozimin që të thirret Kongresi në Berlin. Po ashtu edhe Anglia ishte kundër vendimeve të Shën Stefanit dhe me 1 prill 1878 u dërgoi notë shtetëve nënshkruese të Kontratës së Parisit(1856) dhe Konventës së Londrës(1871), duke parashtruar tërë problematikën dhe arsyet e thirjes së Kongresit. Rusia u frigua nga situata e kriuar dhe iu përgjigj me Memorandumin  e datës 9 prill 1878, duke theksuar se vendimet e Paqës së Shën Stefanit mund të korigjohen prej Fuqive të Mëdha. Pas marrëveshjeve të fshehta, Fuqitë e Mëdha, në mënyrë që të fitonin benificione të tjera duke siguruar edhe pjesë  nga territoret që mbante Turqia, definitivisht u përcaktuan ta thirnin Kongresin e Berlinit  me 13 qershor 1878.

Duke parë intrigat e Fuqive të Mëdha dhe rrezikimin e tërësisë tokësore shqipatre, shqiptarët vendosën formimin e një organizate politike e cila do të ishte në interes të popullit shqiptar. Pikërisht me 10 qershor 1878, në Prizren u themelu Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Kuveni i Lidhjes vendosi të njoftonte Kongresin e Berlinit, që do të mblidhej me 13 qershor, që mos ti jepte asnjë pjesë toke nga atdheu i shqiptarëve  ndonjë shteti të huaj, se shqiptarët do të luftonin për ti mbrojtur.

Kongresi i Berlinit i zhvilloi punimet nga 13 qershori deri me 13 korrik 1878, ku moren pjesë gjashtë Fuqitë e Mëdha: Anglia, Gjermania, Franca, Italia, Austro-Hungaria dhe Rusia. Përfaqësuesit e Turqisë nuk kishin të drejta më përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha, ndërsa përfaqësuesit e shtetëve ballkanike  kishin të drejtë vetëm të pikëpamjet e qeverive të tyre. Ndonëse shqiptarët i  dërguan Kongresit meomrandume, letra e peticione kundër copëtimit të territoreve shqiptare  ata nuk u moren fare parasysh.Ky kongres kishte si mision për të rishikuar vendimet e Shën Stefanit, pra për hartimin e një harte të re politike në Europën Juglindore, sipas interesave të Fuqive të Mëdha. Kështu në ketë kongres u vendos që Malit të Zi ti jepen ato territore të cilat ishin  definuar në Traktatin e Shën Stefanit, duke filluar në jug nga Tivari, Podgorica, Zhablaku, Spuzha Plavën dhe Gucinë, ndërsa Ulqini do të mbetej në kuadër të Perandorisë Osmane, përkatësisht të Shqipërisë. Ishin këto vendime të përcaktuara në nenin 28 të Traktatit të Berlinit, ndërsa i mbetej komisionit përkatës të përcaktoj në terren kufrin në mes Malit të Zi dhe Turqisë. Me një fjalë Kongresi i Berlinit  i dhuroi Malit të Zi territore që as historikisht, as etnikisht nuk i kanë takuar asnjëherë.

Ishin këto vendime arbitrare të Fuqive të Mëdha   duke mos e  marrë  fare parasysh parimin etnik  pra të kombësisë, por në shprehje kanë ardhë interesat  gjeopolitike të Fuqive të Mëdha që ishin në dëm të popullit shqiptarë. Ishte ky fillimi i rrudhosjes së hapësirës etnogjeografike shqiptare, dhe zvoglimit demografik, pasoja këto që do të jenë të pranishme në dekadat që do të pasojnë.

Ndërsa më pas është e   njohur çështja  e  Ulqinit  që paraqet rast të veçantë diplomatik ndërkombëtar, duke renë viktimë e pazarlleqeve të Fuqive të Mëdha. Dihet se në sajë të vendimeve të Kongresit të Berlinit u vendos qe Ulqini ti mbes Shqipërisë-përkatësisht Perandorisë Osmane, andaj  ushtria malazeze është tërhequr me 8.2.1879.  Por Fuqitë e Mëdha, ne kompensim për Plavën e Gucinë, përkatësisht Hotin e Grudën,  bën presion diplomatik dhe ushtarak ndaj Perandorisë Osmane, e cila ia dorëzoj Ulqinin  Malit të Zi në nëntor  të vitit 1880, edhe pse shqiptarët luftuan aq sa kishin mundësi për të mbrojtur tërësinë toksore shqiptare. Këto ngjarje historike populli i ka pasqyruar  në këngë të cilat janë dëshmi e sakrificës për të mbijetuar për liri në trojet e veta.

Se si ka ndryshuar madhësia e territorit të Malit të Zi dëshmojnë të dhënat se para Kongresit të Berlinit Principata e Malit të Zi e kishte sipërfaqen 4.400 km2, ndërsa pas Kongresit ajo u dyfishua në 8.665 km2. Ky zgjerim u bë në sajë të nenit 28. të Kongresit të Berlinit.

Ndërsa pas vitit 1880, kur iu dorëzu Ulqini Malit të Zi nga ana e Perandorisë Osmane dhe  me disa ndryshimeve të tjera  të vogla territoriale sipërfaqa e Malit të Zi arriti në 9.475 km2. Këto të dhëna numërike flasin qartë  së përveç  luftës për pavarësi Mali i Zi po ashtu qellim  ka  pasur  zgjerimin  territorial që u arrit me mbeshtetjen diplomatike të Fuqive të Mëdha e ate kryesisht të Rusisë, duke krijuar hartën e re politike të Ballkanit.

 

Përfundim

Të dhënat e prezentuara nga S.Gopçeviqi, dëshmojnë të dhëna autentike sepse ai ishte dëshmitar okular i ngjarjeve të zhvilluara rreth Tivarit, dhe  në regjionin bregdetar. Por këto të dhëna vërtetohen edhe nga burime të tjera nga literatura e konsultuar enkas për këtë ngjarje historike. Eshtë çështje tjetër se ai ishte përkrahës i pushtetit malazias të kohës, por ofron të dhëna objektive në lidhje me operacionet luftarake të zhvilluara në Tivar si dhe në regjion. Madje ky është autori i vetëm sllav i cili viset shqiptare të aneksuara nga Mali i Zi i quan pa komplekse vise shqiptare sipas nahijave përkatëse. Madje mendoj së është  pikërisht  kjo  arsyeja qe ky autor nuk citohet pothuaj aspak nga autorët sllav ne studimet e tyre,kur trajtojnë një çështje të tillë. Sepse sipas të dhënave të publikuara del qartë se  autorë të tjerë kësaj çështje i janë qasur   sipas interesave të politikës shtetërore, duke arsyetuar aspiratat ekspansioniste të monarkive ballkanike të kohës qe u legjitimuan  nga  Fuqitë e Mëdha  në Kongresin e Berlinit(1878).

Të dhënat qe na ofron autori del qartë se  populli shqiptar luftoi me aq sa pati mundësi për të mbrojtur tërësinë tokësore shqiptare por ishte e pamundur të rezistohej më tepër duke marrë parasysh rrethanat ushtarake e gjeopolitike të kohës.

Andaj  ne të ardhmen çdo temë apo studim qe ka të bëjë ne lidhje me çështjen e Tivarit në vitet 1877-78 duhet patjetër të merret në konsiderim edhe libri i S.Gopçeviqit, duke qenë referencë e domosdoshme në literaturën historike.

 

Literatura:

  1. Spiridon Gopčević, Crnogorski-turski rat 1876-1878, Vojno delo, Beograd 1963
  2.   Zloković, Ignjatije: Spiridon GopčevićGodišnjak Pomorskog muzeja u Kotoru, br. 15, Kotor, 1967., str. 147-165.

3.Emekli General I.Halil Sedes, Osmanli-Karadag Seferi, Istanbul 1936

  1. Antonio Baldacci, Rrugëtime shqiptare(1892-1902), Botoi:Argeta LGM, Tiranë 2004
  2. Hajrudin Muja, Ulqini dhe Tivari ndërmjet krishtërimit dhe islamit, Botoi: LOGOS-A, Shkup 2009
  3. Grup autorësh, Bar grad pod Rumijom, Botoi: Izbor, Bar 1984

7, Gjokë Dabaj, SHESTANI-studim filologjik gjithëpërfshirës I-II, Botoi: “Gjon Buzuku”, Ulqin-Tiranë-Prishtinë, 2004

  1. Gjokë Dabaj, E kaluara e vërtetë e Arqipeshkvisë së  Tivarit, Botoi: Art Club,          Ulqin 2014
  2. Akte të Rilindjes Kombëtare Shqiptare 1878-1912, Botoi: Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Tiranë 1978
  3. Nail Draga, Shqiptarët në Mal të Zi, Botoi: Art Club, Ulqin 1994
  4. Fejtoni në gazetën Pobjeda, janar 1980
  5. Riza Rexha, Ulqini në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit(1878-1881), Botoi: Art Club, Ulqin 1998
  6. Xhevat Repishti, Isuf Sokoli dhe lufta per mbrojtjen e Ulqinit, Tirane 1978
  7. Këngë popullore nga Rilindja Kombëtare Shqiptare, IAP, Prishtinë 1978
  8. Novak Ražnatović, Crna Gora i Berlinski kongres, Titograd 1979
  9. Iljaz Rexha, Memorandumi i Abdyl Frashërit kundër vendimeve të Traktatit të Shën Stefanit, Lemba nr.18-19/2014
  10. Muhamet Pirraku, Roli i myderris Jusuf Efendi Podgoricës për ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare para dhe gjatë LSHP-së, Lemba nr.11/2007
  11. Andrija Jovićević, Crnogorsko primorje i Krajina, SKA, Beograd 1922
  12. Safet Bandžović, Iseljavanje muslimana Crne Gore u Tursku, knj.I, Podgorica, 2011
  13. Shaqir Ismaili, Bojku në Anë të Malit, Art Club, Ulqin 2011
  14. Xhafer Belegu, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Tiranë 1939
  15. Skendër Rizaj, Çështja e Plavës, Gucisë, Hotit, Grudës dhe Ulqinit, LEMBA nr.1/1999

 

LUFTA  PËR  TIVARIN SIPAS  S.GOPÇEVIQIT

Summary

Deri më tash ngjarjet për Tivarin për  vitët 1877/78 janë  trajtuar nga autor të ndryshëm  duke ofruar të dhëna të cilat mund të trajtohen në shumë aspekte, varësisht nga qasja e tyre profesionale. Por në lidhje me këtë temë ekziston një autor i cili pothuaj ka mbetur i panjohur për opinion e gjerë, dhe si i tillë  nuk citohet fare nga studiues të ndryshëm, sidomos të ata sllav, që është rast për hulumtim, duke marrë parasysh se libri i tij mund të konsiderohet si bazë për trajtimin e kësaj çështje ne këtë periudhë kohore.

Fjala është për autorin  Spiridon Gopçeviq (1855-1937) i cili këtë çështje e ka trajtuar me shumë kompetencë në librin Crnogorski turski rat 1876-1878, botuar në Beograd të  përkthyer në gjuhën serbe në vitin 1963 nga shtëpia botuese Vojno dello. Libri ofron të dhëna me interes nga vet fakti se autori ka qenë dëshmitar okular i ngjarjeve, që është rast i rrallë për kohën duke ofruar të dhëna autentike, në aspektin ushtarak por edhe ate gjeopolitik në këtë regjion. Ngjarjet e trajtuara janë në kontekstin e luftës së Malit të Zi kundër Perandorisë Osmane, ku Mali i Zi luftonte për pavarësi  por edhe për  zgjerim territorial. Ndërsa, për luftën  e Tivarit e cila zgjati rreth dy muaj(15.11.1877-8.1.1878)  ofron të dhëna interesante duke  cekur  se ajo ishte e përgjakshme me shumë viktima në popullsi civile dhe ushtarë, duke e shkatërruar pothuaj tërësisht Kalanë e qytetit, që dëshmohet me germadhat e mbetura edhe në ditët tona. Rënia e Tivarit nën pushtetin e Malit të Zi si dhe disa viseve tjera shqiptare u legjitimua me bekimin e interesave të Fuqive të Mëdha në Kongresin e Berlinit(1878), duke  mos marrë parasysh parimin etnik të popullsisë në territoret përkatëse.

Qasja e tij për këtë ngjarje historike mbetet burim i rëndësishëm për të gjithë ata të cilët dëshirojnë ta trajtojnë këtë çështje pa subjektivizëm e improvizime, por në realittein e rrethanave të kohës.

 

 FUND