Letër protestuese edhe nga banorët e krahinës së Krajës – LUFTA PËR TIVARIN SIPAS S.GOPÇEVIQIT (V)

Pamje nga qyteti i Tivarit në vitin 1877 (para luftës)

Nga Dr.Nail Draga

 

Në një protestë të fshatarëve të krahinës së Krajës, të dëbuar prej malazezëve, drejtuar Grinit konsullit të Anglisë në Shkodër ndër të tjera thuhet:” Ne të nënshkruarit, kryetarët e dymbdhjetë familjeve fatkeqe… jemi prej fshatrave të Kështenjës dhe të Martiqit në Krajë. Që kur Mali i Zi i ka pushtuar, shkatërruar dhe djegur shatrat tona dhe pasurinë tonë, ne kemi ardhur në Shkodër, ku bëjmë një jetë të mjerueshme…Në fillim qeveria na caktoi një sasi misri për të ushqyer familjet tona fatkeqe edhe të mëdha në numër. Ky misër, në vend që të pakësonte vuajtjet e tyre, i shtoi edhe më tepër sepse, për të mos vdekur urie, këto familje e pëprdorën këtë misër të kalbur dhe të prishur…Këto familje vdiqen nga misri i kalbur. Nga ky shkak brenda një kohe fare të shkurtër vdiqën 240 vetë nga ata që kishin ardhur prej krahinës së shkretëruar të Krajës, ku kishin lënë vatrat e tyre dhe ishin kthyer  në njerëz pa shtëpi…Ndodhemi në gjendje të mjerueshme  dhe të vajtueshme. Për shkak të kësaj gjendjeje të mjerueshme ne kemi vendosur të kthehemi në fshatrat tona për të punuar dhe nxjerrë bukën e gojës. Përndryshe, po të zgjatim qëndrimin tonë këtu, pa strehë dhe pa ushqim do të duhej të pësojmë fatin e shokëve  tanë tash të vdekur”.

Gjendja nuk ishte më e mirë as në Ulqin. Pas rënies nën Mal të Zi(18 janar 1878), Ulqinin e lëshuan 143 familje, duke u vendosë kryesisht në Shkodër.Theksohet  se në Tivar e Ulqin autoritetet malazeze konfiskojnë bereqetin e tokave të atyre qe kishin ikur.

Në raportin e konsullit anglez në Shkodër, Grin, drejtuar qeverisë së vet, me 12 prill 1878, bën fjalë për Ulqinin ne mes tjerash duke cekur se “… tre mijë banorë të Ulqinit janë thjeshtë shqiptarë. Kufiri natyror i propozuar me rrjedhën e Bunës nuk mund të pranohet nga ulqinakët…”

Ndërsa në raportin e ambasadorit të Francës në Stamboll, Furnie, dërguar ministrit të Punëve të Jashtme të Francës, Vadingtonit, pos tjerash theksohet, “… M u dorëzua nga Jusuf Efendiu, njëri nga deputetët shqiptarë të parlamentit  të fundit të Turqisë, një protestë e bashkatdhetarëve të tij…Tivarit dhe Ulqinit… ku ishin kundër aneksimit të tyre nga ana e Malit të Zi. Ata do të rezistojnë…”.

Gjithashtu  ndaj sundimit të Malit të Zi treguan mospajtim edhe katolikët e Krajës.

Kështu në një memorandum  dërguar Fuqive të Mëdha me 16 qershor 1878 gjenden nënshkrimet e tetë përfaqësuesve nga Shestani. Midis tjerash në atë memorandum shkruhet:“Ne ju lutemi që ta mbroni tërësinë  tonë nacionale dhe territoriale”. Duhet cekur me ketë rast se nënshkruesit janë shqiptarë të konfesionit katolikë e myslimanë të kësaj pjese të krahinës së Krajës, që dëshmon qasjen unike ndaj çështjes kombëtare shqiptare nga të gjithë përfaqësuesit e popullit pa dallim feje e krahine.