Intervistë me shkrimtarin, poetin, përkthyesin e shquar, Iliaz Bobaj

 

Intervistojë : Beqir SINA nga Tirana

Me shkrimtarin, poetin, përkthyesin e shquar dhe aktivistin e Komunitetit Shqiptar në Greqi z.Iliaz Bobaj, rastësia e solli të takoheshim, në një ditë vere, ku tryeza e pritjes së ngrohtë dhe mjaft miqësore, me “titullin” për “Një kafe” si i themi ne shqiptarët, ishte në Qendrën NACIONAL, në Tiranë.

 

Pikërishtë, me pritjen, bujarinë dhe respektin që na bëri, poeti, gazetari dhe drejtori i gazetës NACIONAL, z. Mujo Buçpapaj.

 

Në shoqërin tonë, të “vjetër” së bashku me ne ishte edhe gazetari dhe skenaristi i njohur RTSH Ilir Buçpapaj, si dhe gazetari dhe publicisti i njohur shkrodran Ramazan Çekaj.

 

“Kjo është një intervistë që po jap me shumë dëshirë dhe respekt, për gazetën e njohur dhe gazetarin e respektuar, të gazetës Bota sot, ” u shpreh, poeti, shkrimtari, fabulisti, humoristi, eseisti, publicisti dhe përkthyesin i njohur Ilaz Boba.

Pyetje: -Cila ka qenë jeta juaj ?
Përgjigje:- Një fëmijëri plot vuajtje, pasi sistemi i kaluar na mori gjithçka që të parët e mi e kishin fituar me djersë, më pas një jetë e zakonshme e një intelektuali të para nëntëdhjetës. Mandej pak vite në atdhe dhe një largim i detyruar, (por me dhimbje të madhe) jashtë atdheut, në emigracion në Greqi, punë e lodhëshme rreth 15 vjet…dhe tani sapo kam dalë në pension. Të gjitha boshësitë e jetës i kam mbushur me lulërinë e letërsisë.
Pyetje:- Ju jeni nga Lazarati. Pra, çfarë vendi zë në peshoren e historisë kontributi patriotik dhe shoqëror i Lazaratit, a mbetet përherë një vend i çmuar për Shqipërinë dhe shqiptarët ?
Përgjigje:- Po e them që në fillim. Jam krenar që jam nga Lazarati. Me plot gojën. Në një poezi time them: ‘’…dhe një gur nga Lazarati, / s’e ndërroj as me gjithë botën’’. Lazarati zë një vend shumë të nderuar, jo vetëm në historinë e trevës gjirokastrite, por edhe asaj kombëtare, pasi kontributi i tij është i çmuar. Mjafton të sjellim faktin e pjesëmarrjes në Lazaratit në shpalljen e Pavarësisë sonë Kombëtare, ku ai u përfaqësua me 12 burra të zgjedhur nga vetë fshati, pjesmarrjen e tij në të gjitha betejat për mbrojtjen e trojeve shqiptare, që nga kryengritjet kundër pushtuesve, bashkëpunimin me Çerçiz Topullin dhe Mihal Gramenon, Luftën e Lëkurësit, atë të Vlorës në 1920, asaj për çlirimin e vendit në Luftën e Dytë Botërore, por edhe emrat e shquar që ka nxjerrë Lazarati, për të kuptuar sado pak edhe kontributin e tij historik dhe shoqëror. Unë rrjedh nga një familje me tradita të shquara patriotike dhe kulturore. Xhaxhai im, Elias Lazarati (Iliaz Bobaj i parë), ka qenë njeri prej bashkëpunëtorëve të ngushtë të Fan Nolit në ‘’Vatra’’ në SHBA. Lazarati ka aq lavdi në historinë e tij, sa nuk e kanë treva të tëra. Përgojimi që i bëjnë atij politikanët tanë dështakë, shpreh vetëm nivelin, paditurinë dhe mjerimin e këtyre të fundit. Sado baltë të hedhin mjeranët e politikës sonë mbi historinë e florinjtë të Lazaratit, kjo histori mbetet përsëri e florinjtë.
 
Pyetje: -Në biografinë tuaj shkruhet: Iliaz Bobaj është poet, shkrimtar, fabulist, , humorist, eseist, publicist dhe përkthyes. Cila të pëlqen më shumë nga këto ?
Përgjigje:- Pyetje e vështirë kjo. Është njëlloj si të më pyesni se cilët nga fëmijët të pëlqen më shumë. Sidoqoftë e kam filluar me fabulën, ajo është e dashura ime e parë. Por nuk heq dot dorë as nga poezia, tregimi satirik, përkthimi…
Pyetje:- Ju jeni  pra poet, shkrimtar, fabulist, humorist, eseist, publicist dhe përkthyes. Si e ndjeni veten para lexuesit tuaj ?
Përgjigje: – Edhe pse pritem mjaft mirë, e ndjej veten si një nxënës që jep provim në çdo krijim që nxjerr nga dora. Nuk e teproj, aspak. Në të kundërt nuk do të isha krijues. E them këtë, se ka një matës të saktë për ne krijuesit: ai është lexuesi ynë, para së cilit japim ‘’provim’’ për gjithçka që i ofrojmë atij. Lexuesi ynë është ai që ‘’firmos’’ për miratimin ose jo të krijimtarisë sonë, ndërkohë që atje tej na pret koha, për të na vënë ‘’vulën’’, nëse do të mbetemi në letërsi apo jo. Të tjerat janë përralla. Krijuesin nuk e mbajnë në këmbë as lëvdatat çmimlira të miqve, as çmimet, qoftë ato edhe kombëtare, që jepen ashtu si jepen. Unë nuk hyj në grupin e krijuesve që fluturojnë pas një diplome apo një vendi të parë dhe as nga ata që porositin kritika lëvdatash për librat e tyre, jam me këmbë në tokë dhe dua të mbetem i tillë.
 
Pyetje:- Në galerinë e personazheve tuaj, cili do të mbetet në mendjen tuaj dhe më aktual për ju ?
Përgjigje: – Besoj se personazhet e tregimeve të mia, sidomos atyre satirikë. I kam gdhendur me shumë dashuri dhe mund. Edhe lexuesi i ka pëlqyer. Edhe në botimet e mia në shtypin jashtë, janë pëlqyer shumë. Po edhe personazhet e fabulave, besoj se ia vlejnë t’i përmend si të tillë.
 
Pyetje:- Në zhanrin e përkthimeve, cili do të mbetet më i vështiri dhe më i arrirë ?
Përgjigje:- Unë përkthej nga tri gjuhë të huaja, por vendin e parë e zënë përkthimet nga dhe në gjuhën greke. Më i arriri besoj do do të mbetet përkthimi im me poezi të Ali Podrimjes, ‘’Harta e grisur’’, për të cilin do të flas pak më poshtë. Ndër përkthimet e tjerë do të përmend Ezopin (veprën e plotë), përkthimin e librit ‘’Abedin Pasha Dino dhe Dinot e tjerë’’, të albalnologut të shquar, mikut tim Niko Stylos, Sapfonë, Kavafin, Elitin, Seferin, Ricosin, etj . Por edhe poezitë e poetit Agim Vinca, Agim Gjakova e mjaft të tjerë. Pothuajse të gjithë poetët shqiptarë që kam përkthyer në gjuhën greke, kanë marrë çmime në Greqi dhe letërsia jonë po njihet shumë më mirë në fqinjin tonë jugor, duke përfshirë edhe atë kosovare, të cilën jam i vetmi që e kam sjellë në këtë gjuhë. 
Pyetje: – A jeni politikan dhe sa keni munduar t’i rezistoni politikës së tranzicionit ?
Përgjigje: – Është njëlloj si të më pyesni a doni të jeni i shëndoshë apo i sëmurë? Nuk jam politikan, se nuk dua të hyj në grupin e njerëzve të pafytyrë,  që po na shkatërrojnë atdheun, të ardhmen…të atyre që pas atij turpit të 1997-ës na lanë pa punë dhe na detyruan të largohemi nga atdheu ynë. Tek politikanët tanë kanë mbetur përgjithësisht ‘’dhelprat e vjetra’’, të paditurit që kanë blerë diplomat dhe matrapazët. Për cilin tranzicion e keni fjalën ? Në historinë botërore nuk ka asnjë fakt që një ndërrim sistemesh, të cilin ne e quajmë tranzicion, të zgjasë plot një çerek shekulli dhe fundi i tij të mos duket askund(për kaq kohë heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti bëri epopenë e lavdisë sonë kombëtare). Kjo është ‘’koha e mjegullës’’, që u përshtatet vetëm ujqërve të politikës.
 
Pyetje:- Cili është kontakti i parë me letërsinë, me atë që do të bëhej pjesë e jetës suaj?
Përgjigje: – Oh, që fëmijë. Që në klasën e dytë lexoja rregullisht revistën ‘’Hosteni’’ dhe libra të ndryshëm për fëijë. Më pëlqente shumë humori. Mundohesha të shkruaja diçka. Aty nga klasa e gjashtë e ndjeva se letërsia nuk mund të shkulej kurrë prej meje. Më mbetej vetëm ta ‘’ujitja’’, që ajo të bëhej sa më e shëndetshme. Më pas fillova të botoja. Po futesha në botën time të ëndërrt. Megjithatë, edhe pse digjesha për letërsinë, më dërguan për studime për matematikë dhe fizikë. Duke më parë që unë lexoja shumë letërsi, shokët më thoshnin: ‘’Ti këmbët ke në matematikë, kokën e ke në letërsi’’. Kishin të drejtë…Por edhe matematikën e doja, edhe ajo më dha shumë…
 
Pyetje: – Cila është ‘’frika’’ më e madhe e përkthyesit ?
Përgjigje: – Largimi nga origjinali, në të gjitha aspektet, në kuptim, në ritëm, në muzikalitet, në bukuri artistike, në figurë, në të gjitha. Një kopje e keqe e origjinalit, nuk vlen për asgjë, as për autorin, as për lexuesin. Jam i bindur se ai që përkthen (sidomos poezi), duhet të jetë vet poet dhe njeri me kulturë të gjerë.
Pyetje:- Bota artistike e Podrimjes është bërë e njohur për dashamirës të poezisë në Greqi me botimin e përkthimit tuaj. Si u prit Podrimja në greqisht ?
Përgjigje:- Përkthimi dhe botimi në Greqi i librit të Podrimjes ‘’Harta e grisur’’, është suksesi im më i madh në fushën e përkthimeve. E them këtë, pasi libri u paraqit në një mjedis të përzgjedhur në Athinë, ku morën pjesë shkrimtarë shumë të njohur grekë, botues, kritikë, gazetarë dhe shqiptarë, aq sa salla e madhe nuk kishte asnjë vend dhe njerëzit rrinin në këmbë. Në këtë organizim ndihmuan veçanërisht shkrimtarët e njohur grekë Kostas Valetas, Dinos Kubatis, Panajota Zalloni, Federata e Shoqatave Shqiptare në Greqi e shumë të tjerë. Libri pati një sukses të bujshëm dhe Podrimja, u emocionua shumë. Më falënderonte vazhdimisht. Ishte hera e parë që një poet kosovar vinte në gjuhën greke dhe kjo përgjegjësi dhe ky nder më takonte mua. E ndjeva veten të nderuar, pasi kritika greke e vlerësoi përkthimin tim si një ndër përkthimet më të mirë të ardhur në gjuhën greke nga të gjitha gjuhët e huaja. Pata shumë urime edhe nga miqtë e mi poetë grekë dhe personalitete të kulturës greke. Poezitë e tij i kisha botuar edhe më herët në revistat më të njohura letrare greke (dhe jo vetëm të atij, por edhe përkthime nga greqishtja në shqip) dhe po atë vit kisha marrë edhe çmimin prestigjioz ‘’Përkthyesi i vitit’’, nga Lidhja e Shkrimtarëve Grekë ‘’Ksasteron’’, kurse një vit më vonë edhe Medaljen e Artë të UNESCOS, ‘’Aleksandri i Madh’’ dhe disa çmime të tjerë. E rëndësishmja është se Podrimja erdhi me dinjitet të plotë në gjuhën greke.
Pyetje: – Poeti Grigor Jovani pyet: A do t’ia dilte të ‘’përleshej’’ me gjigantin grek të letrave Iliaz Bobaj ? E ka fjalën për përkthimin e Kavafit ?
Përgjigje:- Po, po, pikërisht kështu e ka thënë, madje ma ka thënë edhe në sy. Dhe përgjigjen e ka dhënë po vetë, duke e vlerësuar mjaft përkthimin tim, për të cilën desha ta falënderoj përzemërsisht. Sidoqoftë Kavafis është shumë i vështirë për t’u përkthyer dhe Grigori ka të drejtë. Madje në disa përkthime në shqip, vihen re edhe disa gabime. Rëndësi ka që përkthimi im është pritur shumë mirë dhe kjo më gëzon.
E kam gati me 100 poezi, do të dalë kësaj vjeshte.
Pyetje:- Si e shihni letërsinë e sotme ?
Përgjigje: – Si një përpjekje individuale të shkrimtarëve, të cilën nuk e ndihmon askush, edhe pse letërsia është pjesë e rëndësishme e kulturës sonë. Si individë që krijojnë letërsi, duke mos patur as një lidhje shkrimtarësh, si një vatër koordinuese, si një shtëpi të përbashkët. Pavarësisht ‘’masivizimit’’ të skajshëm, duke prodhuar shumë më shumë kashtë se kokërr, ajo është në konkurim dhe në zhvillim të përhershëm. Për të tjerat nuk mërzitem, i vë në vend koha.
Pyetje:- A keni kritikuar ndonjë krijues dhe përse ?
Përgjigje: – Unë nuk jam kritik dhe kritika letrare në letërsinë tonë nuk ka asnjë kriter, por në shkrimet e mia ka patur raste që kam kritikuar, duke dhënë mendimin tim për libra të veçantë.
 
Pyetje:- A ju kanë kritikuar dhe përse ?
Përgjigje: – Nuk di ndonjë kritikë që të më ketë dhembur. Zakonisht ka patur kritika me sens pozitiv për krijimtarinë time, por kjo është gjëja që më intereson më pak se gjithçka në letërsi.
Pyetje:- Ku është prirja juaj si lexues dhe jo si krijues ?
Përgjigje:- Tek filozofia, poezia, romani, tregimi, eseja dhe satira.
Iliaz A. Bobaj u lind në fshatin Lazarat të Gjirokastrës më 27-07-1950 në një familje me tradita atdhetare dhe kulturore. Shkollën fillore e filloj në Lazarat, por e përfundoi në qytetin e Delvinës , ku u shpërngul familjarisht. Në Delvinë përfundoi edhe shkollën e mesme me rezultate të larta . Ka kryer studimet e larta në Institutin e Lartë Pedagogjik në Shkodër si student i rregullt në degën matematikë-fizikë dhe më vonë edhe Universitetin “E.Çabej” në Gjirokastër po në këtë degë.(me korespodencë). Punoi mësues në Delvinë, Pukë, drejtues shkolle dhe i shtëpisë së pionierit në Delvinë. Në vitet 1992-1997 ka qënë sekretar i Këshillit të Rrethit Delvinës detyrë të cilën e kreu me dinjitet. 
 
 
Në vitin 1997 , e zëvendësojnë për motive politike dhe mbetet pa punë . I mbetur pa punë u detyrua të marrë rrugën e emigracionit në Greqi së bashku me familjen e tij dhe sot jeton e punon në Patra të Greqisë. Është i martuar dhe ka dy fëmijë. Punon si gjithë emigrantët e tjerë por letërsinë nuk e ka braktisur asnjëherë, duke qënë ambassador i fjalës shqipe përtej kufijve të atdheut të cilit aq shumë i është përkushtuar. Ka një veprimtari të ngjeshur letrare, është shkrimtar i njohur , autor i shumë librave letrare, ndërkohë që krijimet e tij janë përfshirë edhe në antologji të ndryshme letrare. 
 
Shkruan në disa organe letrare , brënda dhe jasht vendit duke qënë ndër publicistët më aktivë dhe më të fuqishëm të shtypit shqiptar në emigracion. Është fitues i disa çmimeve letrare , antar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artisëve të Shqipërisë dhe i Klubit të Shkrimtarëve Emigrantë Shqiptarë në Greqi “Drita”. Njeh mirë gjuhët greke dhe ruse. Vëllimet poetike të tij janë vlerësuar me çmime të ndryshme, kurse në gjininë e humorit me tregimin “Mjekra e kryeministrit” fitoi në konkursin e vitit 2004 – çmimin e parë. Midis të tjerash vlen të përmendet libri “Jetën e pres si të më vijë” ku shfaqet fuqishëm talenti poetik i tij gërshetuar me ndjenjat e atdhedashurisë ( karakteristik edhe familjare e tij). 
 
Midis të tjerash nga lexuesit dhe kritikët janë pritur mir librat “Ezopi”, “Molla e sherrit”, “501 fjalë të urta “, ”Dora dhe fuqia”, ’Dhelpra dhe gjygjtari” etj. Vlenë të theksohet pjesëmarria e tij aktive në jetën gazetareske sidomos në shtypin shqiptar në Greqi si dhe është redaktor i gazetës “Lazërati” Megjithse jasht atdheut me shkrimet dhe debatet e tij tregon se jeton brënda tij me detajet,me gëzimet,krenarinë dhe brengat e tij.