Futboll: Shqipëria luan dobët, vetëm barazim në Maqedoni (golat dhe rastet)

Kombëtarja shqiptare e futbollit ka marrë një barazim shumë të rëndësishëm 1-1 në fushën e Maqedonisë, por në një ndeshje që ka lënë shumë për të dëshiruar nga skuadra e drejtuar nga Kristian Panuçi.

Një pjesë e parë shumë e vuajtur, pa asnjë gjuajtje në portë nga Shqipëria, e cila me rreshtimin e zgjedhur nga trajneri i kishte dorëzuar plotësisht mesfushën kundërshtarëve. Fatmirësisht, Pandev dhe Nestorovski nuk ishin në një ditë të mirë, ndërsa Berisha u shfaq i vëmendshëm në çdo moment duke u mohuar golin e avantazhit.

Në pjesën e dytë ndryshon disi tabloja, me hyrjen në fushë të Bashës e Memushajt dhe kthimin në skemën e zakonshme të kohëve të De Biazit. Shqipëria guxon dhe gjen golin, me rastin e parë që i shfaqet me Roshin. Sadiku kishte në këmbët e tij edhe golin e 2-0, por gabon duke dërguar sferën jashtë edhe pse i vetëm para portës.

Më pas, Maqedonia gjen barazimin me fat, në një moment kur Shqipëria dukej në kontroll të plotë, falë një penalltie të diskutueshme të akorduar pas prekjes së topit me dorë nga Roshi. Nga ai moment, fillon sulmi total i vendasve dhe vetëm pritjet e Berishës bëjnë që kuqezinjtë të dalin me një pikë nga fusha.

Maqedoni – Shqiperi 1-1 Rastet dhe golat

Posted by TV1 CHANNEL on Wednesday, September 6, 2017