Brutët, shqiptarë të mesjetës… Nga Marin Mema

Nga Marin Mema

Në shekullin e 16-të, në qytetin e Kopodistrias (Koperit) mesjetare, pak kilometra nga Trieste, u dukën pinjollët e parë të familjes shqiptare Bruti. Sipas dokumenteve, rrënjët e tyre janë nga qyteti i Durrësit, nga janë larguar në 1501-shin për në Ulqin. Në 1571-shin, trupat osmane pushtojnë edhe këtë qytet duke detyruar shumë nga familjet arbërore që të largohen. Brutët u vendosën në Kapodistria, një nga qendrat më të rëndësishme të sundimit venecian.

Familja Bruti në pak kohë mori pozicionet më të rëndësishme në shoqërinë e kohës. Nikolo Manzioli, në veprën e tij ku përshkruhet historia e Istrias e stampuar në 1611-n në Venecia, në listën e fisnikëve përfshin edhe familjet shqiptare. Në këtë vepër bie në sy fakti se pjesa hyrëse është shkruar nga Alessandro Bruti, i cili ishte mësues i parë i gramatikës dhe filozofisë në atë që njihet si kolegji i fisnikëve apo gjimnazi më i vjetër në Slloveninë e sotme që daton në vitin 1612.

Mjaft të dhëna ka sjellë në vitin 1905 autori italian Domenico Venturini në veprën “Familja shqiptare e kontëve Bruti”. Elementet historike për ta nuk kanë të përfunduar, ndoshta sepse pozicioni i tyre në Kapodistria u forcua në mënyrë të vazhdueshme.

Pallati i sotëm ku është vendosur biblioteka qendrore e qytetit ka qenë dikur rezidenca e kësaj familjeje të madhe. Ai është ndërtuar nga Barnaba Bruti në vitin 1714, me dorën e arkitektit të famshëm venecian Giorgio Massari. Duket se lidhja me të shkuarën e rrënjët ka qenë mjaft e rëndësishme për fisnikun arbëror. Në fasadën kryesore qëndrojnë ende portretet e porositura prej tij. Njëri i përket Antonios së dytë, Bruti i pari i degës venedikase të familjes e që kish lindur në tokat arbërore nga ata erdhën. Portreti i dytë i përket bashkëshortes së tij Maria Brunit, vajzë e një sunduesi feudal të Shkodrës.

Askush të mos mendojë se kjo ishte vepra e vetme e pinjollëve të familjes Bruti, sepse në krah qëndron katedralja, zgjerimi i së cilës është bërë në vitin 1745 nga ipeshkvi Agostino Bruti. Edhe për këto punime, ai përdori, ashtu si vëllai i tij për pallatin, arkitektin Massarri. Ipeshkëvi Bruti bëri jo vetëm këtë investim, por edhe altarin kryesor, organon, pajisjet liturgjike dhe një pjesë të arredimit. Në fillimet e tij, Agostino Bruti shkallët e hierarkisë kishtare i ngjiti me shpejtësi derisa arriti të bëhej oborrtar i lartë i Papa Klementit XI, që ashtu si ai kishte origjinë të pastër shqiptare. Bruti shërbeu si prelat në disa qytete derisa në 1733-shin emërohet ipeshkëv i Kapodistrias, pozicion të cilin e mbajti për thuajse 14 vjet. Gjatë drejtimit të tij u organizuan dy sinode ipeshkvnore, si dhe u publikuan të ashtuquajturat konstitucione të shenjta sinodike.

Është interesante, sepse në katedrale gjendet një memorial që përkujton tre anëtarë pararendës të ipeshkvit Bruti, ç’ka tregon për traditën e bartur brez pas brezi nga kjo familje. Ai është ngritur në vitin 1696 dhe asnjë familje tjetër e qytetit nuk ka një të tillë në këtë vend të shenjtë. Në 7 shtator të vitit 1747 mbylli sytë edhe ipeshkëvi i Kapodistrias, Agostino Bruti, në ceremoninë mortore të të cilit, sipas dokumenteve, u mbajt një fjalim 36 faqësh. 10 ditë më pas u hap edhe testamenti ku ai, përveçse kishte lënë një shumë të konsiderueshme parash për rinovimin e pagëzimores në stilin barok, kërkonte edhe të varrosej aty së bashku me vëllain e tij Barnaba.

Në afërsi të bregdetit në Kapodistria dallohet qartësisht edhe një tjetër godinë që mban në fasadë stemën e familjes arbërore. Ata njiheshin si Brutët e portit dhe përbënin të njëjtën linjë familjare me ipeshkëvin e famshëm.

Nuk duhet harruar se familja Bruti i dha kishës katër ipeshkëv: Giacomon në Cita Nova, Antonin në Ulqin, Pietron në Kotorr dhe Agostinon në Kapodistria. Sigurisht, nga kjo familje ka edhe mjaft pinjollë të tjerë që bënë emër jo vetëm në këtë qytet, por në të gjithë Italinë, megjithatë për të shpluhurosur e ndjekur më tej këtë histori do të duheshin ekspertët e fushës. Deri sot studimet e mirëfillta kanë munguar e kjo mbi të gjitha për shkak të fondeve që përdoren për gjithçka, përveçse për kërkimin shkencor. /Blitz/