Art Club boton romanin “Përtej shprese” të autorit Demë Mulliqi

 

Në kuadër të edicionit botues të Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, këto ditë doli nga shtypi romani “Përtej shprese” i mësuesit dhe veprimtarit të njohur të arsimit dhe çështjes kombëtare nga Peja, Demë Mulliqi.

Libri përbën sprovën e parë të këtij autori në fushën e krijimtarisë letrare. Historia e një familjeje në Kosovë, marrëdhëniet fisnore dhe me popujt tjerë, problemet e përditshmërisë etj. janë tema ku autori e bazon romanin e tij. Ai ndahet në 23 kapituj, është shkruar me një gjuhë të qartë dhe të zhdërvjellët, ndërsa për ndërtimin e dialogjeve autori ka përdorur të folmen e Kosovës.

Redaktor i librit është Ali Salaj, recensent Prend Buzhalla, lektor Osman Grabovci, kurse përgatitja teknike është bërë nga Qazim Muja. Libri është shtypur në Shtypshkronjën „IVPE“ – Cetinë.

Demë Mulliqi ka botuar më parë librat: “Skënderbeu, edukator i kombit shqiptar”, “Shkollat e mesme të Pejës nën okupim (1990/91-1997/98)”, “Rrugëtimi i shkollës dhe arsimit në komunën e Pejës deri në vitin 1945”, “Zilja e thyer – Shkolla fillore kosovare në Mal të Zi (1998-1999)” dhe “Raushiqi mbi themelet e ankikitetit (monografi)”. Romani “Përtej shprese” është libri i tretë që autori boton me firmën e SHAI „Art Club“.

Për kontributin në fushën e arsimit dhe çështjes kombëtare, Demë Mulliqit i janë ndarë shumë mirënjohje nga institucionet arsimore dhe shtetërore.

Në kuadër të veprimtarisë së tij botuese “Art Club”, botuesi më i madh ndër shqiptarët në Malin e Zi, ka botuar deri tani mbi 110 libra, kryesisht të autorëve shqiptarë në Malin e Zi.