Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë Ditmir Bushati priti sot në takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Malit të Zi Srđan Darmanović, i cili po zhvillon një vizitë në Tiranë.

Ministri Bushati shprehu kënaqësinë që vizitën e parë pas marrjes së detyrës homologu malazez po e zhvillon pikërisht në Tiranë, çka është një tregues i marrëdhënieve shumë të ngushta fqinjësore dhe i rëndësisë që të dy vendet i kushtojnë thellimit të këtij bashkëpunimi.

Gjatë bisedës, Ministri Bushati nënvizoi rëndësinë e thellimit të marrëdhënieve mes dy vendeve si në rrafshin dypalësh ashtu edhe atë rajonal dhe të perspektivës së përbashkët euro-atlantike. Ai evidentoi domosdoshmërinë e konkretizimit të projekteve ndërkufitare, me impakt të drejtpërdrejtë në zhvillimin e qëndrueshëm dhe përmirësimin e jetesës së popullsisë në dy anët e kufirit. Dy Ministrat u ndalën në rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit në kuadër të Procesit të Berlinit dhe projekteve të ndërlidhshmërisë si një zhvillim cilësor për avancimin e rajonit drejt familjes europiane, njoftohet nga Ministria e jashtem shqiptare.

Duke vlerësuar rolin e minoriteteve respektive si ura bashkëpunimi mes dy vendeve tona, Ministri Bushati përshëndeti Marrëveshjen e arritur mes partive të koalicionit qeveritar në Malin e Zi, ku përfshihet edhe plotësimi i disa kërkesave të popullsisë shqiptare si dhe inkurajoi homologun malazez në avancimin drejt zyrtarizimit të Komunës së Tuzit. Në këtë kontekst, Ministri e vuri theksin tek nevoja e një shqyrtimi serioz e gjithëpërfshirës të kërkesave të shqiptarëve të Malit të Zi në drejtim të përmbushjes së të drejtave të tyre legjitime përfaqësuese, ekonomike e kulturore, një integrimi më të mirë të tyre në shoqëri, në përputhje me termat e kësaj marrëveshjeje.

Nga ana e tij, Ministri i Jashtëm Darmanović konfirmoi vendosmërinë e qeverisë së tij për vazhdimin e bashkëpunimit intensiv dypalësh, si dhe të procesit të integrimit euro-atlantik të Malit të Zi, me synimin e anëtarësimit në NATO dhe BE. Në këtë aspekt, Ministri Darmanović falënderoi Ministrin Bushati për mbështetjen që Shqipëria i ka dhënë Malit të Zi në procesin e anëtarësimit të vendit të tij në NATO.  “Shqipëria ka mbështetur Malin e Zi në rrugëtimin e tij drejt NATO-s, duke e konsideruar atë një proces të merituar dhe një investim të rëndësishëm për sigurinë e rajonit tonë”, u shpreh Ministri Bushati.

Të dy ministrat u ndalën në situatën gjeopolitike dhe zhvillimet më të fundit me të cilët përballet sot Europa Adriatike dhe Ballkani Perëndimor, duke evidentuar nevojën për një bashkërendim më të mirë në përballimin e sfidave të përbashkëta.

By admini