DERVISH UKA, NJE MITIK I PA STUDIUAR

Dervish Ukë Ponosheci, lindur me 1898-02.01.1969

Nga Tahir BEZHANI

 

Dervish Uka u lind në vitin 1898 në fshatin Ponoshec, pa datë të ditur, nga baba Hisen e nëna Gjyle, komuna e Gjakovës, Rekë e Keqe. Ka vdekur me 02.01.1969 në vendlindje, Ponoshec, regjistruar nën nr.rendor 2/1969 Libri i të vdekurve në Zyrën e vendit Ponoshec.

 

Dervish Uka, (alias Hisen Uka), emri  e mbiemri i vërtetë, para formimit të tij si klerik-Dervish, ishte një person si gjithë tjerët, me jetën  normale të një të riu si gjithë njerëzit.  Më pastaj, pas veshjes së tij Dervish, diku rreth moshës 22 vjeçare, jeta e tij pëson ndryshim të madh, merr një rrugë e kahe tjetër, i cili gjatë jetës, bëhet figurë kleriku i nderuar e i respektuar në gjithë rajonin e Rekës së Keqe, gjithë Malësisë së Gjakovës e kudo.  Jeta e tij është mbushur me shumë ngjarje, me shumë  tregime mistike, me shumë fakte e bëma të tjera që vërtetë, tërheqin kërshërinë e kujtdo, çdo qytetari, që të dihet diç më shumë se të folurat që tani gati pesëdhjetë vite pas vdekjes së tij, njerëzit i flasin  përsëritshëm e me mburrje ngjarjet e Dervish Ukë Ponoshecit të Rekës së Keqe. Si klerik, Dervish, u vesh nga Dervish Rama i Tyrbes se Babes Dan, tarikati Sadi, nga fshati Duzhnje, komuna e Gjakovës, një derë klerikësh e patriotike e njohur nëpër shekuj. Menjëherë pas veshjes Dervish, lëshon mjekrën të cilen nuk e hoqi kurrë, deri në vdekje.

 

TRI GJENERATA DERVISH

 

Me të ditur e dëgjuar për jetën e veprën shumë interesante të Dervish Ukë Ponoshecit, para ca ditësh u drejtuam te shtëpia e nipave të Dervish Ukës, me qëllim që të mësojmë më tepër, të dimë më shumë për të ndjerin dhe trashëgimin e tyre si klerik-dervish-sadi, të trashëguar tash e tre breza.

 

Hadi Haziz Uka, nipi i Dervish Ukës së ndjerë, (tani dervish), na pranoi me shumë bujari në shtëpinë e tij, por edhe në Tyrben, ku tani e afër 5o vite pushon trupi i gjyshit të tij, Dervish Ukë Ponoshecit. Hadia, na njoftoj mbi ato gjëra që kishte trashëguar nga baba i tij, Hazizi, dervishi i brezit të dytë, ku ia kishte shpjeguar jetën e babait dhe mistiken e disa ngjarjeve jetësore, për të cilat bëri përpjekje që të na i përcjellë sa më bindshëm, për interesin publik e historik. Hadiu nuk dinte vitin e lindjes, por dinte datën e vitin vdekjes se gjyshit, sepse ai personalisht nuk e ka njohur ne detaje e as nuk ka pas të dhëna për vitin e lindjes. Por, ato që kishte në vemendje, pra jetën e gjyshit në një kohë shumë të vështirë të rrethanave politike të viteve 60-ta, filloi të na i rrëfeji  bindshëm, sikur ato të kishin ngjarë para pak ditëve. Ajo që ishte me rëndësi se rrëfimet e Hadiut për gjyshin e tij, Dervish Uke Ponoshecin, përputheshin plotësisht me gojëdhënat e popullit në tërsi që ishin të përcjella gjatë historisë, nga bashkëkohsit e moshatarë të Dervishit.

 

 

VITET 60-ta TË SHEKULLIT TE KALUAR-MË TË VËSHTIRAT E JETËS SË DERVISH UKË PONOSHECIT.

 

Vitet 60-ta të shekullit të kaluar, ishin vitet më të vështira, jo vetëm për Dervish Ukën, por për mbarë popullin shqiptarë të Kosovës. Regjioni i Rekës së Keqe të komunës së Gjakovës, rreth 24 fshatra, i takonin zonës kufitare me Shqipërinë, sipas trajtimit të politikës zyrtare të ish Jugosllavisë. Në këtë zonë lëvizjet bëheshin me lejet speciale të sigurimit të shtetit (UDB-es), por megjithat, në orët e vona të mbrëmjes nuk lejohej lëvizja me leje e as pa leje në atë zonë. Taani në këtë kohë Dervish Ukë Ponosheci, ishte burrë në moshë, por edhe një  klerik më zë, ku populli e admironte skajshmërisht. Qysh në moshë më të re kishte filluar të pinte rakinë, kështu që tani, ishte vështirë ta gjeje jasht efektit të alkolit. Ishte në lëvizje gjithë kohen, ditën e natën. Mbante një kali të bardhë, trupvogël e sertë. Kur i tekej, shkonte nëpër shtëpia të fshatarë edhe në mes natë, ku dyert ishin të hapura kurdoherë për Dervish Ukën. Kur ishte në kulminacion të ndejës e të qejfit të alkoolit, çohej nga oda e burrave, i hipte gjokut dhe shkonte në drejtim të pa ditur, ndërsa kur kërkonin fshatarët që ta shoqëronin, nuk i lejonte e as nuk guxonin ta pyesin se ku shkonte. Ishte kjo një shprehi jete e si natën, ashtu edhe ditën. Kurrë nuk kërkonte  që të gostitej me shpenzime të veçanta, bile nuk lejonte atë mënyrë veprimi. I dinte hallet e popullit ne ato vite te kahershme…! Nga këso peripecish jetësore që e kanë përcjellë gjatë Dervishin, edhe para viteve 60-ta, rrjedhin e madhërohen bëmat e tij, përjetimet që kalojnë deri në mit.  Ai ishte një person që nuk dinte se çka është frika as nga pushteti e as nga askush. Kishte besim të pathyeshëm në veten e tij. Kurrë nuk ka zgjedhur kohe:  katër stinë të vitit për te ishin të barabarta, pa marre parasysh dimrat e egër që dinë të përfshinë shpesh këtë zonë, si në Siberi.

Nga interpretimet gojore në popull, por edhe nga nipi i tij, Hadiu, tregohet një rast shumë specifik, kur Dervish Ukë Ponosheci, kthehej vonë në natë vjeshte nga fshati Popoc, fshat i afërt me Ponoshecin, dhe arrin në hyrje të shatit të tij, te rruga e lagjes Zhvinaj, dëgjon raportimin e dy armëve, pa asnjë zë goje. Pastaj kur ndegjon edhe shkrepjen e tyre, por jo krismën, dy persona i dalin para dhe e ndalojnë, duke folur në gjuhen serbe. Pasi ndalet Dervishi, nga xhepi i xhybes së uniformës klerikë, nxjerr një matare me alkool dhe e gëlltit një fyt për vete, pastaj ua jep atyre të cilët e gëlltitin nga një fyt rakie të mirë. Patrulla UDB-ashe e sigurimit të zonës kufitare mbesin të ngrirë  dhe i thonë,” ik, ec e shko në punë tande….”

Të njëjtit  persona të sigurimit, pak ditë më vonë, duke pirë në kafenenë e fshatit Ponoshec, e ftojnë në tavolinë të tyre një qytetarë nga Stublla, Haxhi Brahimin, nga i cili kërkojnë sqarime  për Dervish Ukën, të cilin e kishin takuar në mesnatë në rrugë…Pasi u sqaron në detaje jetën e Dervishit,  ata i thonë: “ tregoni Dervishit që nga sot e pas, është i lirë të lëviz ditën e natën, pa lejen e askujt dhe pa asnjë përgjegjësi nga askush” Këta persona zyrtarë të pushtetit të atëhershëm famëkeq të Shërbimit të Sigurimit të shtetit, kohë e  Rankoviçit, ishin Baboviçi e Savleviçi, dy figura që kishin futur tmerr në popull gjatë aksionit të mbledhjes armëve. Këta zyrtarë, si “privilegj” të kohës, kishin “liruar” nga çdo kontroll tre qytetarë nga Reka e Keqe:  Ram Gegen, një person me të meta psikike dhe një femër, Dushën, po ashtu e sëmurë, e pa aftë psikik. Këtë e bënin kinse për “humanizëm” shtetërorë…

 

Pas takimit të Haxhi Brahimit me Baboviqin e Savleviqin në kafe të fshatit Ponoshec, dhe pas njoftimit se Dervishi është i lirë të lëvizë  kudo, kur të doj, Dervishi futet në  pjesën e territorit të Shqipërisë, i cili ven kontakte me Dervish Luzhën e njohur të Tropojës, me te cilin ka pasur disa kontakte në anën tjetër në Shqipëri. Takimet mes këtyre Dervishëve janë bërë gjatë natës, deri  në zbardhjen e dritës. Për këtë konfidencë askush nuk ka mundur të din asnjë fjalë, ka mbetur e përcjell si fshehtësi familjare deri vonë, pas ndryshimeve të raporteve shoqërore  e politike të kohës në gjitha shtete e Evropës.

Një karakteristikë e rrallë shprehëse  e Dervish Ukës ishte fjala “mos u tutni, mos keni frikë, nuk kanë shka na banjë ….”,fjalë të pa përcaktuara se për kënd bëhej fjalë në atë kohë. Vetëm ndonjë person i tundur, si thonë tropojanët, se rrallë kush e merrte vesh kuptimin e atyre pak fjalëve në atë kohë. Kuptimi e qëllimi ishte te situata politike e viteve të renduara fort mbi popullin, gjatë aksionit të armëve, ne fund të viteve 50-ta. Fjalë me kurajë, për qëndresën, nga se aludonte se do ndryshoi situata. Dhe vërtetë ndryshoi, pas do kohe, me rrëzimit të klikës së Rankoviqit nga pushteti i hekurt e shovinist serbo-sllav. Pra Dervish Ukë Ponosheci, ishte një personalitet i rrallë, i formuar në mënyrën e vet personale si klerik, ku fjala dhe vepra e tij kishte peshe e ndikim te masat, e ku pti shprese…!
DISA RASTE TË MISTICIZMIT QË I DIN POPULLI EDHE SOT

 

Duke dëgjuar me vëmendje Dervish Hadiun, për shumë e shumë ngjarje të jetës se gjyshit, të cilat i kishte transmetuar babai i tij Hazizi, na tregoi edhe disa raste karakteristike, të cilat, vërtetë të habisin, të sjellin në udhëkryqin e dilemave, bile edhe ateistet e përbetuar, mendojnë në qasje të disa thëmave, të cilat tash e 50 vite mbesin si besim e rrëfim i banorëve të Rekës së Keqe të Gjakovës.

Thuhet se njëherë moti ( në vit të paditur) Dervish Uka kishte dalë para derës së oborrit të shtëpisë, buzë rrugës që shkon në Botushë-Junik. Rrugës vijnë Dervish Isufi i Brovinës ( babai i sheh Beqes sot) dhe i thotë:” Dervish hajde me neve, “dhe pa pritur fjalë tjetër Dervish Uka, hedhet ne qerre me kuaj dhe shkojnë në Brovinë te shtëpia e  Dervish Isufit. E njoftojnë Dervishin se do të shkojnë në një dasmë ne Koshare. Dervishi u thotë pritni pak dhe gruas së Dervish Isufit ia kërkon një litër raki. Ajo i thotë se nuk e kam fijen baba Dervish. Dervish Uka i thotë,”shko ne filan kutinë e nusërisë në oden tende, ne fund të sajë, e ke një litër raki dhe bjerma këtu.”  Ajo shkon dhe e gjen rakinë dhe ia sjellë Dervish Ukës. Ndërsa, të tjerë te dera, nuk e kishin pritur të kthehet, duke thënë se “është i dehur e nuk dihet se kah shkon tash e tutje,”hajde të  shkojmë ne dasmë, mos te vonohemi. Kur shkojnë në Koshare, Dervish Ukë Ponoshecin e gjejnë te Rrasa e Koshares duke i pritur këta. Pastaj mahniten me madhështinë e tij dhe askush nuk kishte guximin të bënte ndonjë pyetje, pos që në dasmë shkuan se bashku….

Ka shumë e shumë këso gojëdhënash që edhe sot i përmendin si gajdhën  karakteristike  banorët e Rekës  së Keqe, në  gjithë Malësinë e Gjakovës.

 

 

Duke ditur thesarin e pafund të jetës  së Dervish Ukë Ponoshecit, mora të hedh në letër ato përshtypje që edhe sot populli i përmend me kërshëri, respekt dhe dashuri të veçanet. Dervishi, mbiemrin shtesë Ponosheci,e ka marrë bazuar në përhapjen e emrit të tij në gjithë Kosovën, në Maqedoni, ku janë gjeografikisht shqiptarë, si “nam” si “Zë” si “fuqi” e paparë…!  Bazuar në këto rrethana, por edhe në ato që nuk janë cekur në këtë shkrim, Dervish Ukë Ponoshecit, iu ka ndërtuar Tyrbja  afër shtëpisë së tij, buzë rrugës Gjakove-Ponoishec- Botushë, ku vizitorët nuk janë të rrallë.

 

 

Unë, autori i këtyre rreshtave, nuk jam person që merrem me fenë, as me teologjinë, por  nuk e pash të arsyeshme të heshti, si tash e disa kohë, duke ndier një popull të një regjioni që as pas 50 vitesh nga kalimi i Dervish, nuk e heqin nga mendja e as nga goja e tyre. Do doja, do dëshiroja shumë, qe ata që merren me këtë  lami, të futen në hullitë e këtij besimi dervish-sadi dhe të hedhin më shumë dritë mbi figurën e Dervish Ukë Ponoshecit. Unë respektoj me vetëdije të gjitha fetë, të cilat në thelbin e vet nuk kultivojnë urrejtje ndaj asnjë populli, ndaj asnjë feje tjetër, por na mësojnë e edukojnë për pastërtinë shpirtërore të qenies njeri për njeri…!

Personalisht e kam njohur Dervish Ukë Ponoshecin, por për fat, atëbotë isha shumë i ri, mos të them fëmijë, që të di diçka të veçantë nga jeta e tij.  E respektoj atë figurë të ndritur!

 

Gjakovë,

Janar,2017