SHUMË PAK DHE TEPËR VONË!

nene-tereza-ne-univrsitetin-e-harvarditNga Frank Shkreli

Anë e mbanë botës po bëhen përgatitje për të shënuar shënjtërimin e Nënë Terezës më 4 shtator, 2016.  Natyrisht se atë ditë vëmendja dhe sytë e botës do të drejtohen kah Vatikani dhe Roma, epiqendra e aktiviteteve, aty ku Papa Françesku do të kryesojë meshën dhe ceremoninë për lartësimin e Shënjtëreshës Nënë Tereza, bijës së kombit shqiptar dhe Nënës së më të varfërve anë e mbanë botës.  Por nuk feston vetëm Vatikani dhe Kisha Katolike.  Festojnë të gjithë njerzit vullnetmirë dhe dashamirës të paqës anë e mbanë botës.   Festojnë shtete dhe organizata ndërkombëtare, si Kombet e Bashkuara. Këtë ditë e shënojnë komunitete dhe organizata fetare dhe bamirëse anë e mbanë botës.

Është e vërtetë se Nënë Tereza i takon botës.  Por ajo pikëspari i takon kombit shqiptar. Ajo prej aty doli.  Do e s’do dikush, ajo aty i ka rrënjët, si bartëse e virtyteve më të shëndosha të kombit shqiptar.  Përfaqsuesja më e denjë e frymës së vëllazërimit më të kulluar midis njerëzve pa dallim, e cila gjatë gjithë jetës luftonte ndasitë midis besimeve, kulturave dhe kombeve.

Ndërkaq, ndonëse isha në dijeni të shumë përgatitjeve anë e mbanë botës për shënjtërimin e Nënë Terezës, u turra të shoh se si do e kujtojë Shqipëria bijën e saj në këtë ditë të shënuar.  Gjeta njoftimin e Ministrisë së Kulturës të Republikës së Shqipërisë, të cilën lexuesi mund ta lexojë më poshtë – botuar më 31 Gusht, 2016, — vetëm tre ditë para ceremonisë në Vatikan — ku flitet për një ekspozitë në Bibliotekën Kombëtare kushtuar shënjtërimit të Nënë Terezës.  Tepër vonë dhe shumë pak, thashë me vete, pasi Vatikani kishte njoftuar datën e shënjtërimit shumë kohë më parë, pothuaj në fillim të këtij viti.  Pa dashur të futem në polemika me askënd, lexuesi të vlerësojë vet nëse Shqipëria mund të bënte diçka më shumë dhe më heret, për tu përgatitur për këtë ditë.  Por mu duk si një vendim marrë me gjysëm zemër, pa bindje  dhe vullnet serioz se me të vërtetë duhej bërë diçka me këtë rast.

Do e s’do njeriu, ky moment të sjellë ndër mendë për ata që u kujtohet letra që qarkulloi kohët e fundit e që Nënë Tereza i kishte dërguar Ramiz Alisë, drejtuar, “Zotit President të vendit tonë të dashur Shqipëri”, më 2 shtator 1989 pas një vizite që kishte bërë në atdheun e saj.  Në atë letër ajo shpreh kënaqësinë e saj që, “Pas shumë vjet lutjesh dhe dëshire për të vizituar vendin tim , më në fund i miri Zot ma dha këtë dhuratë të bukur të shoh popullin tim”.   Në atë letër, Nëna Tereze i shkruan Ramiz Alisë se veprimtaria e saj, “nuk është çështje biznesi, as politike” dhe shton se, “Unë nuk kam as ar e as argjent, por juve do t’ju jap motrat”.   Kërkesa e Nënë Terezes bie në veshë të shurdhët dhe refuzohet kategorikisht nga Ramiz Alia, nga ai,  të cilit Nënë Tereza iu drejtua si, “Zotit President të vendit tonë të dashur Shqipëri”.  Shqipëria e gjysëm shekulli më parë nuk kishte nevojë as për Nënë Terezën as për motrat e saja, i kishte shkruar Ramiz Alia, Nënë Terezës, pasi         “Shqetësimi i juaj për njerëzit e varfër përbën detyrën humane e patriotike të mijëra e mijëra djem e vajzave të popullit tonë, që si mjekë e infermierë… i janë përkushtuar shëndetit e mirëqenies së njerëzve tanë”.  Kjo ishte atëherë, po sot pas 25 vitesh post-komunizëm?

Shpresohej për një mëkëmbje të vlerave, të kulturës dhe traditave të  shtypura kombëtare nga regjimi komunist për pothuaj gjysëm shekulli.   Kultura nuk është një njoftim ose grumbull njoftimesh, por është një fuqi gjykuese morale e vlerave për të cilat shquhej Nënë Tereza dhe për të cilat në këtë tokë ajo u vlerësua me çmimin më të lartë të kësaj bote, me Çmimin Nobel për Paqë.  Ndërkaq të djelën më 4 shtator do t’i akordohet titulli më i lartë nga Kisha Katolike, Shënjtëreshë, që mund t’i jepet njeriut të vdekshëm, për meritat, veprimtarinë dhe trashëgiminë që la pas për mbarë botën.

Po të duam të jemi të saktë dhe të sinqertë me vetveten, duhet të pranojmë ashtu siç është prononcuar shpesh edhe ajo vet në shumë raste,  Nënë Tereza i përket këtij grumbulli njerzish në këtë tokë,  këtij kombi të quajtur shqiptar.  Jo vetëm, sa për sy e faqe, por ajo shprehimisht i përkiste këtij kombi me gjakun dhe zanafillën e saj si element i përbashkët i këtij kombi –megjithëse armiqtë e kombit shqiptar u përpoqën dhe gjithnjë përpiqen ta përvetësojnë atë si të tyren ose të pakën të hedhin tym rreth zanafillës së saj.  Po mos ta kishte, kombi shqiptar do të duhej të çpikte një Nënë Tereze,  dhe si të tillë duhej t’a mbajë në shuplakë të dorës, për nder të vet si bijë e këtij populli  dhe për hir të së vërtetës, po se po, por edhe për sytë e botës.  Kjo, në mos për asgjë tjetër, atëherë të bëhet  jo vetëm për dëshirën, por edhe për nevojën që shqiptarët, me vlerat që përfaqëson Nënë Tereza, të marrin pjesë në valle me popuj të tjerë, jo si një popull i prapambetur në Europë, por si një komb i cili në venat e gjakut të tij ndjenë thellësisht nevojën për lartësimin moral dhe shoqëror, vlera këto mbi të cilat Nënë Tereza — bijë e këtij populli — kishte përqëndruar veprimtarinë dhe jetën e saj.  Mungesa e nderimit dhe vlerësimit të duhur ndaj veprimtarisë së Nënë Terezës,  sidomos në këtë moment historik, kam drojë se madje edhe në këtë periudhë post-komuniste, ve në pikëpyetje vullnetin dhe gatishmërinë e Shqipërisë së sotëme për tu ngjitë në shkallët dhe për tu venë në radhët qytetërore me kombet si motra të botës së përparuar.