KËNGA IME DHE HISTORIA E DHEMBËSHME E BABAIT TIM

Ali-GjecbritajAli Gjeçbritaj

P O E Z I


KËNGA IME DHE HISTORIA E DHEMBËSHME E BABAIT TIM

Më pyetën  kush je

Më pyetën  nga vjen

Më pyetën sa do të rrish këtu

Më pyetën kur do të ikësh

Më pyetën sa do të qendrosh atje.

E unë nuk merzitem aspak  vazhdoj rrugën time

E në rrugëtim këndoj këngët e pa kënduara të brezave të ikur

Me vargje  rimë e nota të kohës time

Përgjigja ime preras për të gjithë

Jam ai që kam qenë gjithëmonë

U thash se nuk vij nga gjëkundi

Jam vendali

Ua vura në dije se këtu do jem prore

Këtu në këtë trual i kam rrënjët

E  rrathët e moteve janë formuar

Në trungun e lisit

U thash se nuk do të iki

Nga se këtu gjurmët nuk i fshiu koha

U thash se nëse shkoj ndonjë ditë gjekundi

Nuk do iki asnjë hap më larg se dajët e mi

U thash se historinë e dhembëshme të babait tim

Brezi im nuk do ta përjetoj

Historinë e pashkruar të babait tim

E kanë shkruar në lëkurë gjedhi e unë di ta lexoj

Do ta hedh në notesin tim

Do ta gdhendi në gurin faqok

Mbi derën e shtëpisë do e vendos

Bashkë me simbolin e gjarpërit

Që të ruajn shtëpinë

Unë historinë e dhembëshme të babait tim

Do ta publikoj sot që të mos jetë vonë neser

Ajo ruan fort  portën themelet dhe trarët e shtëpisë

Kaq për sot

E ju plasni nëse doni.

DARKË HELMI

Në dyshemenë e ftoftë nga mermeri

Në lokalin luksoz

Shtrohen tryeza me darka mllefi.

Mysafirët, klientë të rendomtë

Dëgjojnë në heshtje

Cingrimat e kupave të mbushura me helm

U vjen neveri nga kjo dolli.

Qiparisat e lartë rrethojnë godinën luksoze

Me gjethët gjilpanor

Qëndisin pëlhurën e kësaj nate bizare.

Perdet e mjegullta fshehin firmat ugurzeza

Qirinjtë ndriçojnë hijet e zeza

Derisa marimangat kryqëzojnë fijet

E lidhin nyje deri  në mengjes.

Sherbëtorët gjarpinjë servririn këtë natë

Për të helmuar brezat.

ANIJET VELBARDHA

Anijet velbardha na bartin përtej detit

Na shpërndajnë anë e kënd si era polenë

Lotet që derdh qielli mbushin sytë e nënave

Shpirtërat lahën nga loti i pastër

Na duket se shkojmë në derë të parajses

Në buzë që dridhën na është skalitur frika

Dhe e fshehim fjalën e heshtur.

ESHTRAT E THYERA

Natë e gjatë dimri mesjetar

Na thoshte gjyshi plak dikur

Eshtrat e thyera të gjymtyrëve

Na i qet në pahë era e lagët.

Trerët e shtëpive të braktisura

Kanë marrë ngjyrë bloze, qymyr

Dhembjet e natës së dimrit mesjatar

Më kujtojnë plagët e ashtit të thyer

Na thoshte gjyshi plak dikur.

 


MATANË UJIT

Matanë ujit me rrjedhë të ngadalshëm

Lindi dielli, agu mbuloi gjithësinë

Në bregun tjetër të lumit

Ngulur në tokë harku i urës pa këmbëza

Peshkatarët çuan rrjetat plot peshk

Ylberi në hark ngjyrat shpalosi

Më vonë ne do flasim me ta

Troftë lumi do kemi për drekë

Me ngjyra ylberi e stolisëm ditën.

EDHE PËR MUA DO VIJ VERA

Dimër i fortë, pjallmë e borë sa të duash

Verë nuk ka sivjet, plakut i thonë

Po Shengjergji a vjen këtë vit? plaku pyet

Po i thanë, por jo si përherë këtë mot

Mos u brengosuni se vera do vijë

Se do çelë edhe lule mrina

Edhe mua do të më ngrohet shpina

U tha plaku në kokë me një kalë thinja.

SHPRESA KURRË NUK VDES

Gjithandej rrugët kryqëzohen

Në udhëkryqe të viteve takohën ëndrrat

Atëherë kur mendoni se kemi humbur në errësirë

E bota të shembet para syshë

Qendrojmë të vetmuar në heshtje

Me krahë hapur presim shpresen e humbur

Ajo asnjëherë nuk vdes

Gjurmet janë testament brezash

Fitorja ka prindër, humbja është jetime.

DYERT E HAPURA

Sado që na duken se dyert na mbyllën

Në thellësi të shpirtit, në lartësi të horizontit

Krijohen mrekullitë e lindjes së stinës së luleve

Ngjallë besimin se e nesermja

Do të ketë shkelqim më shumë se e sotmja

Dyert neser hapën vetë, zgjidhën nyjet

Dryrët i kemi flakur me ëndrra që lidhin kapilare zemrash

Udhët formojnë trajektoret

Ne duhet të vejmë vetulla

Jo të nxjerrim bebza syshë.

FUNDI DO T’U VIJË

Jeni turr, keni marr hov dhe mendoni se s’s su ndal dot askush

Jeni futur në një gropë të pistë dhe nuk zgjedhni mjete për ngadhnjim

Jeni fryrë si tullumbace ngjyrë mbyllura dhe levizni kah tu çojë era

Jeni bërë aq të merzitshëm sa s’mun tu shohin me sy e as tu dëgjojnë zërin

Ju nuk dini se së shpejti u pret koha me shi breshër e stuhi

Ju nuk dini se së shpejti lumi do tu marrë e thatësia e gushtit do tu vejë në zgarë

Kjo ditë do të vij, do vij për ju që për asgjë njerëzore nuk patët mëshirë

Fundi për ju një ditë domos do të vijë.